Futboll

Luftëtari, Miraka kërkon falje por thotë se gabimi ishte njerëzor

 

Ekipi i Luftëtarit ka dënuar dy lojtarë të tij, pas sjelljeve anti-sportive në ndeshjen Luftëtari-Kamza. Portieri Festim Miraka dhe lojtari tjetjer Fabrizio Nunes janë pezulluar pa afat nga skuadra gjirokastrite, pasi të dy futbollistët kanë bërë veprime anti-sportive në ndeshjen kundër Kamzës.

Klubi gjirokastrit ka lajmëruar në faqen zyrtare në facebook pezullim pa afat të dy lojtarëve.  “Klubi i futbollit Luftëtari, duke parë zhvillimet në takimin Luftëtari-Kamza, për sjellje të dhunshme në fushën e lojës si dhe për sjellje të dhunshme ndaj shokëve në dhomat e zhveshjes, ka vendosur të gjobisë dhe të pezullojë pa afat nga skuadra futbollistin Festim Miraka.

Gjithashtu lojtari Fabrizio Nunes për reagim ndaj zëvendësimit dhe fyerje të trajnerit është ndëshkuar me gjobë dhe është pezulluar pa afat nga skuadra. Klubi i futbollit Luftëtari bën me dije se në ditët në vijim do të ketë të tjera zhvillime në skuadër. Luftëtari nuk toleron askënd që të nëpërkëmbë emrin e tij”-thuhet në postimin e klubit gjirokastrit.

Pas vendimit të klubit për gjobë dhe pezullim nga ekipi, ka reaguar futbollisti Festim Miraka. Me anë të një postimi në rrjetin e tij social facebook, Miraka pranon gabimin, që sipas tij ishte momental. “Duke marrë shkas nga kjo që po flasin shumë, lartë e poshtë, sikur unë paskam bërë vrasje, unë e di shumë mirë që kam bërë gabim të pafalshëm por kjo ishte momentale.

Kjo ishte hera e parë në karrierë që më ndodh kjo gjë, s`duhet të ndodhte por tani s`kthehet më mbrapa. Unë e di sesa vuaj këtë gjë, ju ka ndodhur shumë lojtarëve, është thjesht nerv momenti. I ndodhi Etrit Berishës me Izraelin, të gjithë njerëz jemi e gabojmë, e rëndësishme është të mos jenë me dashje. Por Festim Mirakën po e pushkatojnë nga i pari deri tek i fundit.

Në këtë vend jetojmë dhe ne këtë futboll, që për një gabim njerëzor, të bëjnë sikur unë nuk jam askush. Të gjithë ata që e njohin Festim Mirakën e dinë shumë mirë kush jam, unë kam derdhur gjak për këtë Lufëtar dhe është super mosmirënjohje të më hedhin posht për një gabim momental, që mund ti ndodhi çdokujt.

Dhe në fund, për gabimin që bëra, i kërkoj falje të gjithë dashamirsve të Luftëtarit, shokëve të ekipit ata që e duan vërtet këtë ekip dhe jo atyre që për një gabim njerëzor të hedhin poshtë. Gjithësesi s`ka problem, shumë faleminderit, sepse vet jeta është kështu, të mirat harrohen shumë shpejt kurse me një të keqe të hedhin direkt në rrugë”-përfundon lojtari i Lufëtarit, që është pezulluar pa afat nga ekipi.

Më shumë nga Futboll