Futboll

“Lufta e ftohtë”, Kosova i merr 3 lojtarë Shqipërisë me lojëra… pokeri!

Globalizimi ka ndikuar dhe në futboll, lojtarët po e shohin ekipin përfaqësues si një mundësi përfitimi në karrierat personale. Me pak fjalë, fanella e kombëtares është zhvlerësuar, iku koha e Lorik Canës me shokë, jemi në modën e familjes “Ajeti”. 3 vëllezër, 3 kombëtare të ndryshme me shumë mundësi, turpi i Zotit!

Në garën për afrimin e lojtarëve janë Federata e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. Publikisht, trajnerët e ekipeve të moshave dhe drejtuesit e Federatave tregohen të kujdesshëm, deklarata të paqta dhe qetësuese. Ashtu duhet! Realiteti është krejt tjetër, pasi në prapaskenë luhet një lojë e pisët, madje në kufijtë e bixhozit për të bindur futbollistët. Përplasjet janë kthyer në diçka normale dhe skautët e Federatave vrapojnë për të kapur kush e kush i pari talentet.

Kur merret vesh se pala tjetër po flet me një futbollist, me një turr a vrap të jashtëzakonshëm “vëllezërit” mundohen ta rrëmbejnë nga duart me oferta të ndryshme. Telesport zbulon 3 rastet e fundit të futbollistëve që sollën përplasje të forta mes dy Federatave tona. Ardian Ismajili (mbrojtës, Hajduk Split), Lirim Kastrati (mbrojtës, Lokomotiva Zagreb) dhe Arijanit Muriqi (portier, Manchester City). Të 3 kanë zgjedhur Kosovën, pavarësisht se fillimisht kanë patur kontakte me skautët shqiptarë.

Menaxherët e Federatës Kosovare të Futbollit janë treguar më të zgjuar, pasi u kanë premtuar ekipin e parë direkt, e në ndonjë rast dhe formacionin duke i bindur të veshin fanellën e Kosovës. Në fund, futbolli është “fair play”. Jemi të qartë se kombëtarja e Shqipërisë dhe përfaqësuesja e Kosovës kanë drejtimet e tyre, por duhet të jemi më të kujdesshëm. Minimalisht respekt për punën e tjetrit.

 

Më shumë nga Futboll