La Liga

Lufta në la Liga, Barça shpreson te Sevilla

Ndeshja më e rëndësishme e javës së 37-të të kampionatit spanjoll do të zhvillohet në Madrid ku Reali do të presë Sevillan. Barcelona do të shpresojë te një sukses i këtyre të fundit, që do t’i jepte katalanasve mundësinë për të mbrojtur titullin e fituar sezonin e kaluar. “Los Blancos” do të paraqiten në sfidën e sotme pasi kanë siguruar pjesëmarrjen në finalen e Champions League. Pavarësisht humbjes 2-1 kundër rivalëve të Atletico Madrid, në ndeshjen e luajtur në “Vicente Calderon”, lojtarët e Zidane kanë bërë një paraqitje bindëse dhe 3 qershorin e ardhshëm do të ketë mundësinë për të shkruar historinë në Champions duke u bërë skuadra e parë që fiton dy herë radhazi këtë kompeticion. Sevilla, nga ana tjetër, do të vijë në këtë sfidë pasi nuk ka arritur të marrë asnjë fitore në gjashtë ndeshjet e fundit të luajtura në transfertë, në të gjitha kompeticionet. Ndeshja e fazës së parë është mbyllur me një fitore 2-1 të skuadrës së Sampaolit, që i ka dhënë fund ecurisë rekord të ndeshjeve radhazi pa humbje, të madrilenëve. Gjithashtu, këto dy skuadra janë ndeshur dy herë të tjera në Kupën e Mbretit, me Real që ka fituar 3-0 në Madrid, ndërsa takimi i luajtur në “Sanchez Pizjuan” është mbyllur në barazim 3-3.

Sot do të zbresë në fushë edhe Barcelona, që do të luajë në fushën e Las Palmas. Katalanasit duhet të fitojnë ndeshjet e mbetura dhe të shpresojnë te një gabim i “Los Blancos” për të fituar titullin. Në javën e fundit, Barça ka mundur me lehtësi 4-1 skuadrën e Villarreal, ndërsa Las Palmas ka zgjatur ecurinë e ndeshjeve pa fitore me një humbje të marrë në fushën e Gijon. Skuadra e Luis Enrique ka të njëjtin numër pikësh me Real Madrid, por këta të fundit kanë një ndeshje për të rikuperuar kundër Celta Vigo. Messi me shokë kanë qenë të parët që kanë shënuar më shumë se 100 gola në këtë kampionat. Aktualisht ata kanë realizuar 108 gola. Ndërkohë, në 18 ndeshje të luajtura në transfertë, Barcelona ka pësuar vetëm 3 humbje, ndërsa në takimet e tjera kanë ardhur 3 barazime dhe 12 fitore. Në fazën e parë, katalanasit kanë shkatërruar 5-0 Las Palmas në “Camp Nou”.

Më shumë nga La Liga