Futboll

Luftëtari barazon rekordin e Elbasanit, Kostic i bekuar nga… (pa)dija!

Te Luftëtari pasken nerva çeliku! Trajneri Milos Kostic është për rekorde, pasi ka 7 ndeshje në drejtimin e Luftëtarit, ka 6 humbje dhe vetëm 1 fitore. Dy disfata skandaloze në Europë, 4 humbje në kampionat, ndërsa fitorja e vetme është në Kupën e Shqipërisë përballë Vorës, shumë pak.

Në fakt, trajneri slloven duhet t’i falet faktit se ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare. Presidenti Grigor Tavo mendoi të vazhdonte një projekt afatgjatë, me të drejtë, por duket se bëri një autogol, pasi 46-vjeçari ka dështuar në çdo drejtim. Një skuadër e përçarë, pa unitet dhe pa dëshirë, Luftëtari është më i dobët se vitin e kaluar, kur në drejtim ishin urguaianët e famshëm, Daniel Fernandez dhe Luis Kurbelo.

Luftëtari ka bërë nisjen më të dobët të kampionatit shqiptar që prej sezonit 2014-15 kur në Superiore ishte Elbasani. Skuadër kjo që ishte pa financa dhe trajner ishte Muharrem Dosti. Ky i fundit e mbante ekipin më shumë për mëshirë dhe pasion, nuk u largua nga drejtuesit. Nuk ekziston thuajse asnjë rast tjetër që një skuadër shqiptare të ketë mbajtur një trajner pas një ecurie të tillë, madje Shqipëria na ka mësuar se këtu largohen trajnerët që fitojnë tituj.

Megjithatë, Tavo është pak i kushtëzuar, pasi të largojë Kosticin duhet të paguajë sa qimet e kokës, pasi ka një kontratë 3-vjeçare. Sigurisht, ai nuk do të presë që Kostic të rrënojë gjithçka ka ndërtuar në dy vitet e fundit, por të mos harrojmë se përfaqëson Gjirokastrën dhe legjendat thonë se… e dini çfarë thonë!

Më shumë nga Futboll