Kampionati Shqiptar

Luftëtari e “ndan mendjen”, emëron Hasan Likën trajner

Hasan Lika është trajneri i ri i Luftëtarit. Tekniku kryeqytetas ka arritur akordin me presidencën bluzi dhe tashmë do të “ankorohet” në qytetin e gurtë, për të drejtuar një nga skuadrat e Superiores, e cila bëri një paraqitje vërtet mbresëlënëse sezonin e kaluar, me në krye Mladen Milinkovic. Shkarkimi i Fernandes pas disfatës në javën e pestë të Superiores “gradoi” në krye të stolit gjirokastrit ndihmësin e uruguajanit, Kurbelo, i cili drejtoi vetëm dje në “Selman Stermasi”, në humbjen 2-0 përballë Partizanit.

Ecuria negative e Luftëtarit ka bërë që presidenti Grigor Tavo të kërkojë një zgjidhje tjetër në drejtim, kësaj here shqiptare. Dhe është kontaktuar Hasan Lika, një trajner me shumë eksperiencë në vendin tonë, që më parë ka drejtuar disa herë Teutën dhe Partizanin, por edhe ekipin kombëtar Shpresa të Shqipërisë. 57-vjeçari ka qenë edhe trajner i Apolonisë e Kukësit në kampionatin shqiptar. Ai, prej vitit 2016, kur u largua nga drejtimi i verilindorëve të Kukësit, ishte pa punë, duke bërë analistin televiziv nëpër emisione sportive.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar