Futboll

Luftëtari e pezulloi pa afat, portieri largohet përfundimisht nga ekipi

Pas Dotit te Teuta, vjen radha e Festim Mirakës te Luftëtari, për të dalë lojtar i lirë, pas pezullimit pa afat që iu bë lojtarit pak javë më parë.

Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë portieri gjirokastrit, i cili i ka dhënë fund heshtjes duke vendosur për të ardhmen e tij. “Njoftoj se nuk jam më pjesë e ekipit të Luftëtarit! Nuk mund të rrija pezullim pa afat, derisa drejtuesit të kujtoheshin për çështjen time.

E pashë të arsyeshme të kërkoj lejen e kalimit dhe të shpallem lojtar i lirë”-shkruan Festim Miraka në profilin e tij në facebook. Më tej ai thekson se: “Nuk dua të prek personat që dëmtuan në një moment të caktuar karrierën time, pasi unë do ja dal gjithmonë me forcat e mia.

Kam qenë dy vjet pjesë e Luftëtarit, gjatë kësaj kohe që kam qenë në fushën e blertë kam dhënë maksimumin për fanellën që kam mbajtur mbi supe”-shkruan ndër të tjera portieri Miraka.

Në fund ai falenderon tifozët, sportdashësit dhe shokët e skuadrës që e kanë mbështetur, ndërsa largon urrejtjen duke shprehur falenderimin edhe për drejtuesit e klubit gjirokastrit.

“Faleminderit tifozëve dhe sportdashësve që më kanë mbështetur në çdo moment. Faleminderit çunave të ekipit që kemi qenë gjithmonë si një familje. Faleminderit dhe suksese trajnerëve, që nga Mustafa Hysi dhe deri te Daniel Fernandez.

Për mua ekzistojnë vetëm falenderime, ndryshe nga ata që nuk më thanë asnjëherë faleminderit”- përfundon Festim Miraka, që tashmë do duhet të gjej një ekip tjetër për të vijuar karrierën e tij si futbollist.

Më shumë nga Futboll