Kampionati Shqiptar

Luftëtari fundos Vllazninë në “Loro Boriçi”, Europa më afër se kurrë

Me një cinizëm dhe dy “yje” në gjirin e saj, si Bregu e Abazaj, Luftëtari ia ka dalë që të marrë një trepikësh shumë të rëndësishëm në fushën e “Loro Boriçit” përballë Vllaznisë. Skuadra gjirokastrite ka shfrytëzuar në maksimum shanset që iu paraqiten, duke e fundosur Vllazninë akoma dhe më shumë në fund të tabelës. Ekipi i Ernest Gjokës, tashmë është pretendenti kryesor për të ndjekur Lushnjen në kategorinë e parë.

Pjesa e parë fillon me agresivitet nga të dyja skuadrat, ku nuk kanë munguar as kartonat e verdhë për disa futbollistë. Vllaznia mundohet të shkojë në mënyrë të organizuar drejt portës së Athanasopulos, ndërsa Luftëtari është shumë i rrezikshëm me anë të kundërsulmeve. Në minutën e 12’ do të ishte Vllaznia, ajo që do i afrohej më tepër golit. Është kapiteni Gilman Lika, i cili me një gjuajtje potente nga jashtë zone, trondit traversën e gjirokastritëve. Pas këtij momenti delikat, Lufëtari mundohet të dalë përpara, duke shfrytëzuar shpejtësinë e Abazaj në kundërsulme të shpejta dhe forcën e Shkurtaj, por, ky i fundit do e linte fushën në minutën e 44’ pas një dëmtimi që nuk e lejoi të luante më tej.

Pas shumë tentativave dhe rasteve të humbura, pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej në shifrat 0 me 0.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, Luftwtari hyn më agresiv dhe tenton disa herë që të vërë në vështirësi portën e Alen Sherrit. Në minutën dhe 52’ gjirokastritët do të gjejnë dhe golin e avantazhit. Është i zakonshmi, Abazaj, që pas një triblimi në krahun e djathtë, gjuan dhe shënon golin e parë për miqtë zikaltër. Pas këtij goli të pësuar, Vllaznia mundohet të reagojë, por sërish është e pafuqishme për të vënë në rrezik portën e Luftëtarit. Aksionet e shkodranëve nuk arrijnë të konkretizohen saktë dhe dy momente u shoqëruan nga vendime të dyshimta të arbitrit pas një prekje me dorë të Xhekson dhe një pengimi të Gilman Likës, që po shkonte drejt portës.

Por kur mendohej se Vllaznia do të shkurtonte diferencën, ka ardhur goli që vulosi fatin e takimit. Është Dejvi Bregu, i cili pas një kombinimi me Rocën del  i vetëm përballë Sherrit e nuk fal, duke dyfishuar avantazhin për miqtë. Mbyllet kështu me rezultatin 2-0 sfida në “Loro Boriçi”, me Luftëtarin që tashmë është në vendin e tretë dhe Europa është më afër. Ndërkohë Vllaznia, fundoset me këtë humbje dhe tanimë fillojnë me të vërtetë drithërimat e rënies nga kategoria.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar