Futboll

Luftëtari, Kostic: “Tirana nuk na dominoi, kemi dëshmuar se luajmë mirë futboll”

Nuk ka ndër mend të dorëzohet trajneri i Luftëtarit, Milos Kostic, pavarësisht se këtë të dielë ka regjistruar humbjen e tij të katërt, në po aq ndeshje të luajtura nga gjirokastritët në këtë fillim sezoni. Sipas teknikut të Luftëtarit, skuadra gjirokastrite ka dëshmuar se luan mirë futboll, pavarësisht se nuk është shpërblyer me rezultatet pozitive e pikë në klasifikim.

“Është shumë e vështirë pas katër ndeshjesh, por ndonjëherë futbolli kështu e ka. Është e vështirë të thuash diçka pas kësaj. Duhet të ulemi dhe të mendojmë se çfarë duhet bërë. Në tre ndeshjet e fundit kemi treguar se dimë të luajmë futboll. Për momentin djemtë po punojnë fort dhe po luajnë futboll. Sot nuk pati një dominim të Tiranës, apo që të kishte shumë raste, por diti të shfrytëzojë rastet dhe meritoi fitoren. Nuk duhet harruar edhe problemi i mungesave, i lojtarëve të rinj, por edhe përforcimeve të afruar vetëm ditët e fundit. Me ardhjen e këtyre shpresojmë që gjërat të ndryshojnë. Disa gola janë pësuar nga mungesa e përqendrimit, sikurse ishte ai i marrë sot. Shumë i evitueshëm dhe që na ndëshkoi edhe moralisht. Në pjesën e dytë e dominuam Tiranën, madje tentuam edhe të shënonim, por është për të ardhur keq që nuk realizuam dot”, deklaroi trajneri i Luftëtarit, Milos Kostic, pas disfatës ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”, ku regjistroi humbjen e katërt radhazi në katër javë të Kategorisë Superiore.

Më shumë nga Futboll