Connect with us

Kampionati Shqiptar

Luftëtari kundër politikanëve: Mbylleni gojën, s’keni asnjë meritë!

Një reagim i fortë, por edhe “kundër rrjedhës” në futbollin tonë, ka ardhur nga klubi gjirokastrit, Luftëtari.

Një reagim i fortë, por edhe “kundër rrjedhës” në futbollin tonë, ka ardhur nga klubi gjirokastrit, Luftëtari. Duke qenë se në emër të suksesit të tij po mundohen të flasin tani politikanë të ndryshëm, që në ethet e fushatës kërkojnë të përfitojnë ndonjë votë më shumë, duan t’i vënë emrin e tyre çdo gjëje. Të shqetësuar nga kjo qasje, drejtuesit e klubit bluzi kanë dalë sot me një deklaratë për shtyp:

“Tani që ekipi ynë po “betonohet” në vendin e katërt të klasifikimit në Superligë, po shohim në mediat qendrore një “kampionat tjetër”. Politikanët janë vënë në garë, duke abuzuar me suksesin e Luftëtarit. Ata kërkojnë të përfitojnë politikisht. Duke shprehur keqardhjen dhe indinjatën tonë, jemi të detyruar të sqarojmë opinionin publik, në respekt të emrit dhe historisë së ekipit tonë, si dhe pas kërkesës së grupimit të tifozërisë “SHQIPONJAT BLUZI”. Së pari, ekipi i Luftëtarit i takon qytetit të gurtë dhe gjithë sportdashësve bluzi, që e mbështesin për vite e vite me radhë. Së dyti, suksesi ynë i deritanishëm u dedikohet futbollistëve tanë, stafit drejtues dhe grupit të sponsorëve, me në krye presidentin tonë, zoti Grigor Tavo. 

Së treti, si çdo ekip tjetër modern, presidenca e ekipit tonë ka lidhur një kontratë konsulence e menaxhimi me nje kompani të huaj. Kështu, çdo tentativë e politikanëve për të abuzuar me sukseset e Luftëtarit, duke nëpërkëmbur djersën e çunave dhe punën e palodhur të stafit teknik, duke sfumuar kontributin e presidencës, do të jetë e dështuar. Së fundi, edhe një herë kërkojmë publikisht nga politika dhe politikanët, që të distancohen dhe të mos ngatërrojnë ngjyrat dhe bluzën e rëndë të Luftëtarit me ngjyrat e partive dhe interesat e ngushta të tyre!”

Më shumë nga Kampionati Shqiptar