• Luftëtari i pandalshëm, mund Tiranën me 10 futbollistë

    Publikuar: 19 Mar 4:04

    Sifda e sotme mes Luftëtarit dhe Tiranës, e përfunduar me fitoren 2-1 të vendasve, nuk ka bërë tjetër veçse ka rikonfirmuar format respektive të dy ekipeve, me gjirokastritët që vijojnë ecurinë e tyre gati perfekte dhe absolutisht të pamposhtur në shtëpi, ndërkohë që në kampin bardheblu, kriza sa vjen e thellohet më shumë, teksa tashmë rrezikohet ndjeshëm edhe vendi i 6-të që mbahet aktualisht nga 24 herë kampionët. Vendasit kanë kaluar në avantazh me Lamçen në minutën e 55’, për të dyfishuar shifrat në të 72’ me Bregun, protagonist kryesor i këtij takimi, me një mori rashtesh për shënim. Epërsia e gjirokastritëve u lëkund disi në të 74’ kur Zguro u largua me karton të kuq, duke lënë vendasit në inferioritet numerik për gati 20 minuta. Ishte pikërisht në këtë momente, kur bardheblutë reaguan por jo mjaftueshëm duke mos bërë më shumë se të minimizonin humbjen në shifrat 2-1, falë golit të realizuar nga Cisse në minutën e parë shtesë.

    Pjesa e Parë

    Është Tirana ajo që jep sinjalin e parë të rrezikshëm, me Ede, i cili në minutën e 15’ të takimit depërton në zonën gjirokastrite, por nuk arrin dot të gjejë hapësirat për të finalizuar. Vetëm dy minuta më pas janë sërish bardheblutë ata që i afrohen ndjeshëm golit të avantazhit, kësaj here me Moise, i cili vetëm pak metra larg portës së Luftëtarit gjuan, por neutralizon rrezikun portieri i gjirokastritëve, Ruçi. Përgjigja e vendasve është regjistruar në të 25’ për të mos u ndalur më deri në vërshëllimën e arbitrit për pushimin e ndeshjes. Rreth 20 minuta me një mori rastesh në portën e 24 herë kampionëve, thuajse gjithmonë me protagonist Bregun, i cili me cilësitë dhe aftësitë e tij arriti të gjejë edhe rrugën e golit, por arbitri e ka konsideruar të parregullt, për pozicion jashtë loje. I njëjti kishte shansin më të mirë për të kaluar ekipin e Luftëtarit në epërsi vetëm pak sekonda para përfundimit të pjesës së parë, kur vetëm pak metra larg portës së Tiranës, e dërgon topin mbi traversë.

    Pjesa e dytë

    Vetëm 10 minuta nga rifillimi i lojës, skuadra e Luftëtarit ka kaluar në avantazh. Është Lamçja, ai që në minutën e 55’, pasi arrin të dëpërtojë nga e djathta në zonën bardheblu, driblon në mënyrë spektakolare Teqen me këmbën e djathtë, për të finalizuar me të majtën, duke triumfuar edhe në duelin përballë portierit Ilion Lika dhe dërguar topin në rrjetë, 1-0 për vendasit. Pesë minuta më pas janë sërisht vendasit ata që i afrohen golit të dytë, kësaj here me sulmuesin Bregu, i cili brenda zonës së Tiranës gjuan me kokë, por topi përfundon mbi traversë. Në të 72’ Bregu ka dyfishuar shifrat në favor të Luftëtarit, madje duke goditur edhe shtyllën në një tentativë të vetëm një minute më vonë, ndërkohë që nga minuta e 74’ vendasit janë detyruar të luajnë me 10 futbollistë pas daljes së Zguros me karton të kuq. Me gati 20 minuta epërsi numerike, skuadra e Tiranës nuk ka mundur dot të bëjë më shumë se të minimizojë disavantazhin në 2-1, falë golit të realizuar nga Cisse në minutën e 90’+1.

    Luftëtari-Tirana     2-1

    Shënues: Lamçja 55’, Bregu 72’ / Cisse 90’+1

    Luftëtari: Ruçi, Liçaj, Bojom, Beqiri, Zguro, Rroca, Aleksi, Mutumane, Bregu, Lamçja, Rexhinaldo.
    Trajner: Mlladen Milinkoviç

    Tirana: Lika, Doka, Teqja, Cake, Hoxhallari, Daja, Akua, Lika, Kërçiku, Moise, Ede.
    Trajner: Mirel Josa

    Gjyqtar: Juxhin Xhaja

    Standings provided by Sofascore LiveScore


    Lexo postimet e tjera