• Luis Suarez, rreziku numër një për Valencia-n

    Publikuar: 18 Mar 7:47

    Barcelona do të vazhdojë ndjekjen ndaj Real Madrid në kampionatin spanjoll të dielën në mbrëmje kur do të presë Valencia-n në “Camp Nou”. Në javën e fundit, lojtarët e Luis Enrique kanë pësuar një humbje befasuese 2-1 në fushën e Deportivo La Coruna. Pavarësisht nga kjo ndalesë, Mess me shokë janë në garë në të gjitha frontet. Për sa i takon formacioneve, Aleix Vidal nuk do të jetë në dispozicion për shkak dëmtimi, ndërsa janë në dyshim Mathieu dhe Neymar, me këtë të fundit që pritet të jetë në krah të Messit dhe Suarez në skemën 4-3-3. Përballë Barçës do të jetë një Valencia që nuk luan më për asnjë objektiv dhe në javën e fundit ka marrë një barazim 1-1 në shtëpi kundër Sporting Gijon, një pikë që e ka cuar në 11 pikë diferencën e “Los Che” me Granadën e vendit të tretë nga fundit.

    Trajneri Voro nuk do të ketë në dispozicion Rodrigo, Santi Mina dhe Nani që janë të dëmtuar, ndërsa Zaza pritet të jetë qendërsulmuesi në skemën 4-3-3 me Cancelo dhe Orellana në krahët e tij. Barcelona është favorite për të marrë tri pikët e plota në këtë takim, duke parë se ka pësuar vetëm dy humbje në 19 ndeshjet e fundit të luajtura në kampionat kundër Valencias, por të dy këto humbje kanë ardhur në “Camp Nou”. Ekipi i Enrique ka fituar pesë ndeshjet e fundit të kampionatit të luajtura në shtëpi, duke realizuar mestaraisht 4.1 gola për ndeshje. Nga ana tjetër, Valencia ka arritur të fitojë vetëm një nga 10 ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në transfertë.

    Rreziku numër një për miqtë do të jetë Luis Suarez, i cili ka shënuar shtatë gola në pesë ndeshjet e fundit të luajtura kundër Valencias në të gjitha kompeticionet. Por Lionel Messi ka realizuar më shumë gola ndaj Diego Alves, portieri i Valencias, se kundër çdo portieri tjetër në karrierën e tij te Barcelona (19 në të gjitha kompeticionet). Një fund, Barcelona është e vetmja skuadër e La Liga-s në këtë sezon që nuk ka marrë asnjë karton të kuq në këtë sezon.

     


    Lexo postimet e tjera