Atletikë

Luiza Gega nuk ndalet: Pas të artës në Mesdhetare radha e Europianit

Atletja Luiza Gega mori medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018” në disiplinën e 3000 metrave me pengesa, duke dhënë kohën 9’27”73, që është njëkohësisht edhe rekord i këtij eventi Mesdhetar. Një garë e shkëlqyer e atletes kuqezi, që në një intervistë të transmetuar në faqen zyrtare të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), shpreh emocionet e saj: “E kam kërkuar me ngulm një medalje të artë në Lojërat Mesdhetare, pasi isha nënkampione në këtë event dhe luftova shumë. Nuk ka qenë aspak e lehtë për t’ia dalë mbanë, pasi në garë ishte edhe kampionia olimpike, që ishte favoritja kryesore, ndaj jam shumë e lumtur që ia dola mbanë”, u shpreh Luiza Gega.

Atletja Luiza Gega ne Lojerat Mesdhetare

New

Më tej, atletja shqiptare, shprehet synimet e saj për të ardhmen, ku konfirmon se do të garojë për medalje edhe në Kampionatin Europian. “Kjo është një medalje që në radhë të parë ia dedikoj trajnerit tim, që lodhet shumë me mua, familjes time e mjaft personave të tjerë që më mbështesin. Jam e emocionuar që kam marrë këtë medalje, pasi pashë edhe flamurin shqiptar që valëvitej më lart se flamujt e tjerë dhe kjo më bëri krenare”, tha Gega, që më tej shtoi: “Ky është një vit me disa aktivitete të mëdha, pasi objektivi i radhës është Kampion ati Europia në gusht, që zhvillohet në Berlin. Jam nënkampione në këtë garë dhe dua ta ruaj këtë rezultat, pse jo, të shkoj edhe më lart. Tani do të nis një periudhë përgatitore për këtë turne europian dhe shpresoj që t’ia dalë sërish mbanë”.

Më shumë nga Atletikë