Atletikë

Luiza Gega vendos “pikat mbi i”…

Edicioni i tretë i Maratonës së Tiranës ka përfunduar mes keqkuptimesh, dhe bëhet fjalë pikërisht për fituesen në kategorinë e femrave në garën e 21 kilometrave, atleten Luiza Gega.
Gega pati kohën më të mirë prej 1 ore dhe 14 minuta e 18 sekonda por ka mbërritur në vijën e finishit më vonë për shkak të nisjes së saj 58 sekonda me vonesë.
Kenianja Agnes Chebet, pati kohën 1 orë 14 minuta e 56 sekonda dhe u rëndit e dyta në garë.
Kur atletët u ngjiten në podium pati një debat nëse rekordmenja shqiptare e meritoi apo jo çmimin e parë për shkak se e para në finish mbërriti kenianja. Madje edhe atletja pretendoi se e meritonte ajo çmimin e parë.

Luiza Gega nëpërmjet një postimi në profilin e saj në Facebook, ka sqaruar gjithçka. Konkretisht atletja shqiptare ka shkruar:
“Për të gjithë ata që nuk kanë lidhje me sportin dhe e kanë të pa qartë rregulloren e garave të rrugës ju lutem lexoni pikën 36. e futur në kornizat me të kuqe. Ku dhe unë po jap një sqarim të asaj që disa e quajnë të pa drejtë.

Gara u nis 5 minuta para kohës që duhej të nisej, një pjesë e garuesve që ishin më afër vijës së startit u nisën pothuajse në kohë, një pjesë tjetër ku isha dhe unë u nisëm më vonë. Çdo garues ka një çip ku matja e kohës fillon në momentin kur ti kalon rrezen e startit dhe përfundon kur ti kalon rrezen e finishit.

 


Unë për fat të keq duke qenë se isha shumë larg kohës kur ra pistoleta ( pasi koha zyrtare duhet të fillonte në 9:00 dhe jo në 8:55) startoj 58 sekonda më vonë. Por sigurisht që renditja përfundimtare bëhet në baze të kohës kjo sipas rregullores, pavarësisht që unë kalova vetëm njërën nga vajzat dhe njëra ishte pak para meje , përsëri renditja përfundimtare si e imja ashtu dhe e çdo garuesi bëhet në bazë të kohës që ti ke vendosur. Prandaj njerëz çdo sport ka rregulloret e veta doni apo s’doni ju, dua apo s’dua unë në fund të fundit e vendos rregullorja.

Dhe uroj që në të njëjtën mënyrë të më uroni dhe për sukseset, unë nuk jam fare e mërzitur sepse fitorja ime është mëse e drejt. Po mos të ishte jua siguroj me bindjen më të plotë që kurrë po kurrë nuk do t’a doja. Objektivat e mia kanë qenë shumë shumë më larg se kaq, kjo është arsyeja e arritjeve të mia. Dhe i falënderoj pa masë njerëzit që më urojnë edhe vazhdojnë të më urojnë sepse janë ato njerëz që e dinë kush jam unë dhe e dinë që çdo gjë është mëse e drejt.”

Më shumë nga Atletikë