• Magani fton tifozët: Me ju e mposhtim Vllazninë

    Publikuar: 19 May 8:56

    Teuta ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen delikate kundër Vllaznisë që do të zhvillohet të shtunën në orën 17:30 në “Niko Dovana”. “Djemtë e Detit” e kanë përgatitur me kujdes këtë takim dhe besimi është i madh te të gjithë për të regjistruar një fitore kundër kuqebluve për të hedhur një hap të madh drejt mbijetesës. Sulmuesi Artur Magani, në intervistën për “Telesport.al” shprehet se kundër Vllaznisë, Teuta luan “finalen” e parë: “Luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme që mund të vendos sezonin për ne. E kemi konsideruar si finale dhe jemi përgatitur gjatë gjithë kësaj jave për të marrë fitoren përballë publikut tonë”.

    Teuta ndodhet në vend të gjashtë por rrezikon të bjerë një kategori më poshtë ashtu siç mund të kap edhe vendin e katërt nëse në dy ndeshjet e fundit merr maksimumin e pikëve: “Jemi në një situatë të vështirë, nuk e kemi nisur mirë kampionatin, por besoj se kemi mundësin ta mbyllim mirë nëse në këto dy ndeshje marrin gjashtë pikë. Gjithsesi fokusi ynë është vetëm te ndeshja me Vllazninë ku kërkojmë të marrim pikët maksimale”.

    Mbështetja e tifozëve gjatë këtij sezonit ka qenë e vakët, kundër Vllaznisë, “Djemtë e Detit” luajnë fatet e një sezoni të tërë dhe për sulmuesin peqinase mbështetja e tifozëve është një shtysë më shumë drejt suksesit: “Edhe tifozët kanë të drejt pasi në këtë sezon kemi nuk kemi treguar më të mirën tonë, por tani është një moment që ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre dhe u bëjë thirrje të jenë sa më të shumtë nesër në stadium. Me mbështetjen e tyre do ta kemi më të letë ta mposhtim Vllazninë”. Presidenti i klubit Edmond Hasanbelliu ka vendosur që kundër Vllaznisë hyrja e tifozëve të jetë pa pages.


    Lexo postimet e tjera