• Magjia e Messi-t eliminon Bilbao-n, Barça kalon në çerekfinale

    Publikuar: 11 Jan 11:06

    Barcelona ka mundur 3-1 Athletic Bilbao-n dhe është kualifikuar në fazën çerekfinale të Kupës së Mbretit, duke përmbysur humbjen 2-1 të pësuar në ndeshjen e parë. Nuk ka qenë një kualifikim i lehtë për katalanasit, të cilët kanë realizuar golin e tretë vetëm 12 minuta para fundit të ndeshjes kur Messi ka bërë mrekullinë e radhës nga goditja e dënimit.
     

     

    Ka qenë Luis Suarez që ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 35-të, pas një assiti të Neymar. Një moment historik ky për sulmuesin uruguaian, i cili ka realizuar golin e tij numër 100 me fanellën e Barcelona-s në të gjitha kompeticionet. Dominimi i vendasve ka qenë total, me Bilbao-n që nuk ka arritur të bëjë asnjë goditje drejt portës në pjesën e parë. Tri minuta pas fillimit të pjesës së dytë ka ardhur edhe goli i dytë për katalanasit, me Neymar që është zhbllokuar pas 1039 minutave pa gol, duke shënuar nga pika e bardhë e penalltisë.

    Tri minuta më vonë ka ardhur reagimi i miqve që kanë ngushtuar diferencat në 2-1 me goditjen e parë të bërë drejt portës, teksa autori i golit ka qenë Saborit. Sulmet e vendasve kanë qenë të shumta, por lojtarët e Luis Enrique nuk janë treguar shumë të saktë në finalizim. Të paktën deri në minutën e 78-të kur Lionel Messi ka realizuar magjinë e radhës nga goditja e dënimit, duke i dhuruar Barcelona-s fitoren 3-1 dhe kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Mbretit.

     


    Lexo postimet e tjera