• Malota: Skënderbeu? Të fitojmë fillimisht me Korabin…

    Publikuar: 17 Mar 2:45

    Partizani luan nesër, në orën 14:00, ndeshjen e javës së 26-të të Superiores. Të kuqtë rikthehen në ”Selman Stermasi”, jo si pritës kësaj here, sepse aty ka zgjedhur të luajë Korabi. Dibranët, që e kanë marrë rrugën e kthimit andej nga erdhën, do të mundohen t’ia vështirësojnë jetën Starovës dhe të tijve, duke mos pranuar të bëhen “urë” për askënd. Renato Malota, qendërmbrojtësi lezhjan i 15 herë kampionëve të vendit, ka mesazhin e tij, të naltuar në konferencën e sotme për shtyp:

    “Na duhet çdo pikë, ndaj të gjitha ndeshjet duhen vlerësuar maksimalisht, pak rëndësi ka se cilin kemi përballë, Korabin apo kundërshtarë të tjerë. Të shtunën duhet të hyjmë në fushë për të bërë detyrën dhe të marrim maksimumin e pikëve. Do të kemi mungesa për këtë ndeshje, por e them me bindje se Partizani ka luksin të zgjedhë, pasi disponon një organikë mjaft cilësore. Nisur nga ky fakt, besoj se mungesat nuk do të ndihen në fushë. Përsa i përket ndeshjes Skënderbeu-Kukësi, çdo rezultat do të jetë në favorin tonë. Për ne e rëndësishme është fitorja në këtë 90-minutësh, pak rëndësi ka se kush do të shënojë.

    Jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët që hyjnë në fushë, synojnë të japin më të mirën për ekipin. Eshtë ende herët për të folur për përballjen me Skënderbeun, ne i përgatitim ndeshjet një nga një. Nesër luajmë ndaj Korabit, pastaj do të fillojmë të mendojmë për ballafaqimin me Skënderbeun. Shpresojmë që në përfundim të fazës së tretë të jemi në krye të klasifikimit. Ndeshjet i vlerësojmë një e nga një dhe me rëndësi është që të jemi ne fituesit e titullit. Nuk jam penduar aspak që kam zgjedhur Partizanin, pasi jam pjesë e ekipit më të madh në Shqipëri.”


    Lexo postimet e tjera