Futboll

Man.United-Jose Mourinho gati rinovimi, £65 milionë për pesë vjet

Manchester United dhe Jose Mourinho do të nënshkruajnë kontratën e re të bashkëpunimit. “The Sun” bën me dije se klubi i “Djajve të Kuq” dëshiron të blindojë trajnerin portugez të cilit i ka ofruar 65 milionë sterlina për pesë vjet. Një shifër marramendëse e cila pritet ta bindë “Special One” të nënshkruajë kontratën më të gjatë të karrierës së tij në drejtim klubi. Mourinho, 54-vjeç është menaxheri më i paguar në botën e futbollit së bashku me kolegun e tij te Manchester City Pep Guardiola, të dy marrin 250 mijë sterlina në javë.

Në sezonin e parë me United, edhe pse nuk arriti në katër vendet e para të renditjes së Premier League, Mourinho ia doli ta rikthejë skuadrën në Champions League falë triumfit në finalen e Europa League-s ndaj Ajax-it. Ndërkohë gjatë verës, “Djajtë e Kuq” kanë bërë një merkato të rëndësishme e cila solli mes të tjerëve në “Old Trafford” emra të spikatur si Luaku dhe Matic. Në dëshirat e Mourinho-s ishte edhe Ivan Perisic i Inter-it, por ky i fundit i rezistoi këmbënguljes të United duke e mbajtur lojtarin kroat në Milanon zikaltër.

Manchester United po fluturon këtë sezon… Djajtë kanë grumbulluar 19 pikë në shtatë javë kampionat duke u pozicionuar në vendin e dytë të renditjes që kryesohet nga Man.City me pikë të barabarta, por me një golavarazh më të mirë. Edhe në Champions League, skuadra e portugezit ka korrur dy fitore në dy javët e para dhe kryeson Grupin A me 6 pikë.

 

Më shumë nga Futboll