Futboll

Man.United, Juan Mata: “Me Liverpool-in është sfidë më vete”

Manchester United do të zhvendoset në Liverpul të shtunën për t’u përballur me një rival historik. Lojtari i Djajve të Kuq Juan Mata ka komentuar sfidën e rëndësishme që e pret skuadrën e tij në “Anfield”. Sipas spanjollit kjo është një përballje ndryshe nga të tjerat: “Nuk ka asnjë ndeshje të ngjashme me këtë. Që kur kam ardhur te Manchester United, të gjithë flasin për këtë rivalitet”, shpjegoi lojtari i Spanjës në Sky Sports.

Manchester United shkon në “Anfield” me statusin e skuadrës së pamposhtur në këtë sezon të Premier League-s, ashtu si Manchester City që kryeson renditjen për shkak golavarazhi. Juan Mata është i ndërgjegjshëm që atmosfera do të jetë e nderë dhe se një fitore e Të Kuqve është më shumë se sa e pritur nga djemtë e Jurgen Klopp-it. “Atmosfera nuk do të jetë mikpritëse. Sigurisht stadiumi do të jetë përplot me tifozë që do të urojnë humbjen tonë, kjo e bën futbollin special. Duhet shumë karakter për të luajtur në takime të tilla”, u shpreh Mata.

Manchester United ka dy ndeshjet e fundit pa fitore në Anfield. Suksesi i tij i fundit nga anët e Merseyside daton në janar të 2016-ës falë një goli të Wayne Rooney. Romelu Lukaku lajmërohet se e ka kaluar shqetësimin në thembër.  Nga ana tjetër Liverpool ka bërë një fillim sezoni me ulje-ngritje duke fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet. Të shtunën Jurgen Klopp-it do t’i duhet të kompozojë skuadrën e tij pa Sadio Mane të dëmtuar gjatë aktivizimit me kombëtaren e Senegalit.

Më shumë nga Futboll