RUSI 2018

Maradona: Si trajner mësoj nga Menotti dhe Mourinho

Diego Armando Maradona, tash trajner i Al-Fujairah SC, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka folur sërish mbi faljen që FIFA i bëri pezullimit të mbetur të Leo Messit, i cili u mor ndaj tij me katër ndeshje pas kualifikueses Argjentinë-Kili, në zonën e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës, “Rusia 2018”. Maradona mori mundësinë edhe për të lavdëruar trajnerin Mourinho. Legjenda e futbollit argjentinas tha se është i çmendur dhe mezi po pret të fillojë punën më 1 korrik, me SC Al-Fujairah. Maradona nënvizoi se “në Emiratet e Bashkuara Arabe dua të ndërtoj ekipin më të mirë, sepse e kam të qartë që të gjithë duan të fitojnë formacionet e drejtuara nga Maradona”.

Kur flet për stilin e tij të punës, për metodat e tij si trajner, Diego Armando Maradona sqaruar se “çdo gjë që kam mësuar nga Menotti e riafirmoj me Mourinhon. Puna është punë. Këtu duan të punojnë në mënyrë të plotë, unë do ta shtrydh këtë mundësi.” Maradona, gjithashtu, pranoi se nuk ishte për ardhjen e Jorge Sampaoli në krye të Argjentinës, por shprehu besimin se kombëtarja e tij do të jetë finalist e Kupës së Botës: “Ne duhet të jemi atje, për t’i dhënë prestigjin e duhur Botërorit të Rusisë. Argjentina nuk mund të qëndrojë pa Botëror dhe anasjelltas”.

Maradona u ndal sërish te falja që i bëri FIFA Leo Messit, duke ia pezulluar ndëshkimin e mbetur prej tri ndeshjesh: “Jam ndier si i çmendur, kur FIFA e pezulloi me katër ndeshje. Fola me Infantino dhe ishte mirënjohës. Fyerja e arbitrit është gjë e keqe, por kjo është pjesë e lojës. Mendoj se pezullimi i tij ishte i padrejtë. Argjentina tashmë e ka në dispozicion Messin dhe së bashku duhet të avancojnë drejt finaleve të Botërorit”.

Më shumë nga RUSI 2018