Moto GP

Marc Marquez triumfon në Jerez dhe merr kreun e renditjes

Marc Marquez me Honda triumfoi sot në pistën e Jerez, duke fituar garën e Çmimit të Madh të Spanjës në Moto GP, duke marrë edhe kreun e renditjes së përgjithshme. Një paraqitje e mirë e pilotit spanjoll, që në mesin e garës mori komandën dhe e mbrojti atë deri në fund. Marquez përfitoi edhe nga një aksident 8 xhiro nga fundi që përfshiu 3 ndjekësit e tij më të afërt, Pedrosa, Lorenzo e Dovizioso, për të garuar i qetë dhe korrur një fitore relativisht të lehtë. Garë për t’u harruar kjo për motorin Yamaha, me Rossin që u klasifikua i shtati e Vinales i teti.

Gara nis mirë për Jorge Lorenzo (Ducati), që merr kreun që në kthesën e parë, është i shpejtë në pistë dhe arrin të lërë pas rivalet deri në mesin e garës. Marquez nis të rikuperojë gradualisht pozicionet, ngjitet deri në vendin e dytë dhe pret momentin e duhur për ta parakaluar Lorenzo, ndërkohë që pas tij janë edhe Andrea Dovizioso (Ducati) e Dani Pedrosa (Honda). Në momentin që Marquez nis të shkëputet, një gabim i Lorenzo nxjerr jashtë pistë 3 pilotë, vetë spanjollin, shokun e tij të skuadrës Dovizioso e patriotin e tij Pedrosa, duke mbyllur para kohe garën.

Nga kjo situatë nuk arrin të përfitojë dot Valentino Rossi, në vështirësi në këtë pistë, nuk arrin dot të parakalojë as pilotë më dobët se ai në letër, duke e mbyllur garën në vendin e pestë, shumë larg kreut. Pas fituesit Marquez u renditën francezi Johann Zarco (i dyti me Yamaha) e italiani Andrea Iannone (i treti me Suzuki), duke u ngjitur në podium, ndërsa Petrucci u klasifikua i katërti. Vinales, me motorin tjetër Yamaha, e mbylli garën i shtati. Gara e radhës, pas dy javësh, në Francë.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Moto GP