RUSI 2018

Mario Gotze, i etur për t’i dhënë Gjermanisë një tjetër Kupë Bote

Mario Gotze këmbëngul se i ka cilësitë për ta ndihmuar Gjermaninë që të mbrojë titullin e Kupës së Botës në Rusi, më vonë, kësaj vere. Ai shënoi golin e fitores në finalen e “Brazil 2014”, katër vjet më parë, duke bërë që Gjermania të triumfojë 1-0 kundër Argjentinës në shtesë.

Në atë kohë, Gotze dukej sikur kishte botën në këmbët e tij, në moshën 22-vjeçare, pasi kishte gëzuar vetëm një sezon solid debutimi me Bayern Munich. Por, forma e “play maker”-it u zvogëlua dhe ai vazhdoi të kishte probleme shëndetësore, që e kufizuan kohën e tij në fushë, edhe pas ribashkimit me Borussia Dortmund, në korrik 2016.

Gotze, më së fundi luajti për Gjermaninë, në barazimin 2-2, të nëntorit me Francën. Ai ndien se ka ende talent për të bërë një ndryshim në kuadrën e Joachim Low. “Jam i sigurtë se me cilësitë e mia mund ta ndihmoj Gjermaninë për ta fituar Botërorin përsëri, – tha ai për “Bild”.

– Nuk e kam humbur talentin. Përkundrazi, jam pjekur si person përmes përvojës që kam pasur në vitet e fundit. E di se pesë ndeshjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme për mua, por nuk janë të vetmet që vendosin, nëse shkoj në Rusi apo jo”. Gotze ka bërë 20 paraqitje në Bundesligë për Borussia Dortmund në këtë sezon, por u kritikua për formën e tij në mars.

Më shumë nga RUSI 2018