Connect with us

Boks

Mario Sokoli, boksieri që synon majën e botës (video)

Është vetëm 17 vjeç, boksieri më teknik që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në moshën e tij. Por Mario Sokoli, edhe pse i ri në moshë, vlerësohet maksimalisht, qëndron me këmbë në tokë, duke pritur ditët e tij. E di shumë mirë që i duhet shumë punë që një ditë të jetë më i miri, por nuk stepet, vazhdon çdo ditë të stërvitet, me qëllimin dhe ëndrrën që një ditë do të jetë kampion Europe, pse jo, edhe me tituj botërorë.

Të dhënat e Mario Sokolit janë vërtet fantastikë. Ka marrë pjesën edhe në Botërorin e zhvilluar për moshat nën 16-vjeç në Rusi, ndërsa kampionatin e fundit kombëtar të boksit për moshat ai natyrisht që është kampion i padiskutueshëm për peshën e tij, 75 kg. Por jo vetëm kaq, ai u shpall nga gjyqtaria edhe boksieri më teknik i kampionatit të fundit, që u zhvillua në Shkodër. E ardhmja e tij është e sigurt dhe këtë e thonë të gjithë ish-boksierët dhe ata që e kanë parë në ring Marion.

Finalja e kampionatit kombetar te boksit per youth 3.10.2015 SHKODER Mario Sokoli kampion ne peshen 75 kg dhe boksieri me i mire teknik per 17-18vjecar ALB

Posted by Mario Sokoli on 2015-10-04

 

“Ky djalë nuk është për në Shqipëri, ai duhet të gjejë menjëherë një trajner profesionist jashtë shtetit, diku në Gjermani apo vend tjetër, sepse është mëkat të stërvitet në këto kushte. Sokoli, me këtë ritëm, shumë shpejt kemi për ta parë në ringun europian ose atë botëror. Do Zoti stërvitet në një vend tjetër, pasi e ardhmja e tij është e sigurt”, – është shprehur trajneri i ekipit kombëtar të boksit, Zef Gjoni, i cili e ka sugjeruar të atin e Marios, Fatjonin, ta çojë të stërvitet jashtë vendit. Gjoni thotë se është atlet në ring, ashtu si Muhamed Ali, ndërsa për nga goditja ka edhe stilin e Klitchkos, kampionit të botës aktualisht në peshat e rënda.

I pyetur nga “telesport.al”, Mario të thotë pak fjalë: “Puna ime është të stërvitem dhe mos merrem me gjëra të tjera. Më vjen mirë kur marr vlerësime, por ambiciet janë për më shumë. Nuk e kam ndërprerë stërvitjen dhe po rris parametrat e mia. Falënderoj edhe trajnerët e mi që po merren çdo ditë me mua. Dëgjoj shumë fjalë lart e poshtë, por jo për të qenë modest, por shoh punën time, sepse i kam vetes qëllim që një ditë do të ndeshem në një ring boksi europian dhe nuk dua të zhgënjej veten time dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur.”

Mario Sokoli

Nga ndeshja e fundit në Shkodër, ku Mario Sokoli u shpall më i miri i kampionatit

Babai i Marios, Fatjoni, tregon vështirësitë që po has për t’i plotësuar kushtet minimale që ai të vijojë stërvitjen normalisht. “Si çdo prind, edhe mua më vjen mirë kur shoh specialistët e boksit që vlerëojnë tim bir. Të them të drejtën, fillimisht nuk është se e vrisja shumë mendjen, djali merrej me boks dhe për mua ishte në rregull. Por tani ai është kampion i padiskutueshëm në Shqipëri dhe po më thonë se është mëkat të qëndrojë ky talent në vendin tonë, sepse do të digjet. Dhe deri diku kanë të drejtë, sepse këtu e vështirë është të gjesh edhe rivalë për sparing e jo më kundërshtarë të të njëjtit nivel. Tani është mosha që atij i duhet një trampolinë, një stërvitje më bashkëkohore, me trajnerë profesionistë.

mario me fatjonin

Mario me babain e tij, Fatjonin, suporti më i madh për momentin

Nuk ul aspak vlerat e trajnerëve tanë, por është tjetër gjë Shqipëria dhe tjetër Gjermania apo Anglia. Personalisht nuk i kam aspak mundësitë për ta çuar jashtë. Fatkeqësisht, këtu nuk ka as menaxherë, e kanë mendjen vetëm te futbolli. Boksi është i ndryshur në vendin tonë, edhe pse ka plot talentë”, – shprehet me lot në sy Fatjoni, si për të kërkuar pak ndihmë nga ndonjë biznesmen, që të marrë rolin e menaxherit dhe të kujdeset për Marion.

Po ta shohësh rrugës, me çantë sportive në dorë, me siguri që çdonjërit do t’i shkojë mendja që ai po shkon në ndonjë pallat sporti për të luajtur volejboll, ose basketboll, por nëse ai do të zhvishej, menjëherë format e trupit me muskujt e tendosur do të tregonin se është boksier. Gjatësia e tij është avantazh, por më shumë se gjatësia dhe muskujt, është vullneti që ka dhe teknika. Është thjesht çështje kohe, Mario Sokoli pas disa vitesh me siguri do të pushtojë Europën, pse jo, edhe Botën. Koha e mirë duket që në mëngjes. Kjo i shkon për shtat edhe Mario Sokolit, talentit 17-vjeçar të boksit shqiptar.

[total-poll id=97107]

Më shumë nga Boks