Tenis

Marion Bartoli nuk ia del mbanë, rikthimi në fushë mbeti një dëshirë

Tenistja franceze Marion Bartoli ka befasuar sot të gjithë me deklaratën e saj, duke thënë se nuk do të rikthehet në fushë edhe pse konfirmuar më parë se pas 5 vitesh pushim, do të luante këtë verë në grand slemin e Wimbledon, turne të cilin e ka fituar në vitin 2013. Bartoli pat deklaruar në fillim të këtij viti se synonte të luante në turnetë e parë Masters, në Majemi dhe Indian Wells, por më pas e shtyu rikthimin për në korrik. Por duket se 33-vjeçarja nuk është në gjendje të rikthehet si dikur edhe pse gjatë këtyre viteve kaloi shumë probleme.

Për fat të keq, më duhet të ndal këtu përgatitjet e mia për t’u rikthyer në fushë pas 5 vitesh. Nevoja për të gjetur formën dhe nivelin më të mirë, duke rritur ngarkesat në stërvitje, më kanë shkaktuar sërish dhimbje në shpatullën e djathtë. Për pasojë, e kam të pamunduar të luaj, pasi nuk mund të rikuperoj fizikisht. Dua të falënderoj të gjithë ata që më mbështetën në këtë aventurë. Tani do të reflektoj në lidhje me të ardhmen dhe projektet, pasi kam dëshirë që t’u mësoj fëmijëve sportin e tenisit, duke dhënë më të mirën”, tha Bartoli.

Më shumë nga Tenis