Futboll

Mark Iuliano: “Më mirëpritën me humbje, mos prisni Partizan me kundërsulm”

E ka nisur me humbje aventurën e tij në drejtimin e skuadrës së Partizanit, por gjithsesi, disfata 0-2 përballë Laçit, në ndeshjen e parë të sezonit, nuk dekurajojnë trajnerin italian të të kuqve, Mark Iuliano. Ky i fundit është shfaqur i kënaqur me atë që skuadra e tij ka dhënë në fushë, me kritikën e vetme, që të shfrytëzojnë më mirë shanset që jepen. Iuliano nuk ka nxjerrë justifikime në lidhje me mos aktivizimin e kapitenit Hoxha dhe mesfushorit Batha, duke dhënë motivet respektive.

“Më dhanë mirseardhjen në Shqipëri me këtë humbje. Kemi dominuar në të gjitha zonat e fushës, por kemi pësuar dy gola që është e vështirë për tu shpjeguar. Më vjen keq për skuadrën, për tifozët. Më kënaq fakti që ekipi dha gjithçka nga vetja dhe nuk u dorëzua, ndonëse duhet të përmirësohemi ende. Do të analizojmë të dy golat e pësuar, për të ardhmen. Nuk kishim alternative të shumta edhe pse nuk më pëlqen të flas ata që nuk ishin të gatshëm. Duhet t’i kishim shfrytëzuar rastet që patëm në dispozicion, këtë gjë i kam komunikuar edhe skuadrës në dhomat e zhveshjes”, komentoi trajneri i Partizanit.

“Laçin e njoh, sikurse e njihni të gjithë, por nëse prisni që Partizani të luajë me kundrasulm, mendoj se nuk do të ishte e drejtë në raport me ekipin. Më pëlqen të bëj lojë argëtuese dhe mendoj se e realizuam këtë gjë sot, ndonëse nuk fituam. Në lidhje me mosaktivizimin e Hoxhës, klubi ka disa rregulla të brendshme që duhen zbatuar. Në rastin e Albanit nuk janë zbatuar disa dhe nuk u aktivizua. Ndërsa në lidhje me Bathën, është një futbollist që e kam shumë për zemër dhe e konsideroj pjesë të formacionit, por ishte zgjedhje teknike, në varësi të kundërshtarit”, deklaroi ndër të tjera, Mark Iuliano në përfundim të ndeshjes së humbur ndaj Laçit.

Më shumë nga Futboll