Moto GP

Marquez: Honda kompetitive, testet na dhanë informacion për gomat

Marc Marquez është i kënaqur nga rezultatet e testeve të kryera gjatë kësaj jave në pistën e Montmelo, në Barcelona, që treguan se motori Honda ka bërë disa përmirësime krahasuar me garën e zhvilluar 5 ditë më parë. “Në teste, motori u paraqit më mirë se sa në garë edhe pse gjërat e reja që provuam ishin të pakta. Punuam më së shumti në aspektin elektronik dhe në mënyrën e menaxhimit sa më të mirë të gomave”, tha piloti spanjoll Marc Marquez, kampion i botës në fuqi në Moto GP. “Ajo që më pëlqeu ishte goma e përparme që Michelin kishte sjellë, që na përshtatet më shumë”, tha spanjolli.

Piloti spanjoll Marc Marquez

Në klasifikimin e përgjithshëm të Botërorit të Moto GP, piloti spanjoll ndodhet në vendin e tretë me 93 pikë, 18 pikë pas kryesuesit Maverick Vinales (111 pikë), ndërsa i dyti me 104 pikë është italiani i Ducatit, Andrea Dovizioso. “Këto teste janë të rëndësishme, pasi na japin një informacion mjaft të rëndësishëm për motorin që do të përdorim në garat e ardhshme. Temperaturat në teste ishin të larta, por gjithsesi shpresojmë që të vazhdojmë në këtë rrugë, për të luftuar sërish për titullin kampion”, deklaroi pas përfundimit të testeve Marc Marquez.

Më shumë nga Moto GP