Moto GP

Marquez: Nuk vendos limite, dua të fitoj sa më shumë tituj

Marc Marquez duket se ka nisur rrugëtimin drejt titullit të pestë kampion në Moto GP, të shtatit në total për të, pasi fitoret e fundit në Amerikë dhe Spanjë e bëjnë atë favoritin kryesor për të triumfuar edhe këtë sezon. Kampioni i botës në fuqi nuk vendos limite këtë sezon dhe në karrierën e tij. “Nuk dua të vendos limite, duke thënë se dua të fitoj kaq apo aq titujt, pasi gjithçka mund të ndodhë në të ardhmen. Gjërat nuk arrihen duke qëndruar duarkryq, por duke punuar dhe luftuar, duke qenë i motivuar”, tha Marquez.

Piloti spanjoll i Honda kryeson renditjen e Botërorit, është ende i ri dhe nuk mendon për tërheqjen nga sporti. “Nuk dua të konkurroj në kategori të tjera, pasi Moto GP është maksimumi. Dua të provoj një garë rezistence dhe Honda më ka ofruar disa herë mundësinë që të provoj garën 8-orëshe të Suzukës. Por kemi 19 gara në sezon, sezonin tjetër do të jenë 20, janë shumë dhe nuk kemi kohë për të provuar përvoja të reja”, tha spanjolli, që më tej shtoi: “Këtë vit jemi më të fuqishëm dhe të shpejtë, sidomos në pjesët e drejta dhe arrij ta komandoj më mirë motorin në kthesë”, tha Marquez.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Moto GP