Ligue 1

Martinez: Henry, trajner i Monakos? Ishte lëvizja më e natyrshme

Fillimi i karrierës si trajner i parë i Thierry Henry te Monaco ishte “veprimi më i natyrshëm”, që gjithkush mund ta priste. Këtë e thotë trajneri i kombëtares së Belgjikës, Roberto Martinez. Ish-ylli i Francës dhe Arsenalit u zyrtarizua si zëvendësues i Leonardo Jardim të shtunën, duke nënshkruar një kontratë 3-vjeçare.

41-vjeçari, i cili mbikqyri seancën e parë të trajnimit të hënën, kishte punuar si ndihmës i Martinez te Belgjika që nga gushti i 2016-ës. Dhe spanjolli e mbështet ish-krahun e tij të djathtë për sukses në një klub, që do të thotë kaq shumë për të. Në lidhje me largimin e Henry, Martinez tha në një konferencë shtypi:

“Projekti fillestar i tij ishte që të krijonte përvojë. Mendoj se, me atë që bëmë në Kupën e Botës, e arriti këtë. Thierry dëshironte të ishte me ekipin kombëtar belg derisa të shfaqej lëvizja e natyrshme. Nuk ishte një rast i largimit për hir të tij, apo i përpjekjes për të detyruar një lëvizje të tillë.

Ne të gjithë i jemi mbështetës, sepse Monako është shtëpia e tij, ku filloi si futbollist. Eshtë një mënyrë e natyrshme për ta filluar po aty edhe karrierën e tij si trajner. Kam bindjen se do të jetë një trajner i nivelit të lartë, nuk kam dyshime në lidhje me të. Obsesioni i tij për lojën, përvoja, njohuritë janë baza për të pasur sukses edhe në këtë drejtim të karrierës. Pastaj, ne të gjithë shpresojmë të ketë edhe pak fat, sepse gjithmonë keni nevojë për fat në futboll”.

Më shumë nga Ligue 1