Kampionatet në Europë

Mashtrimi i Rashed, Messi i Palestinës që ëndërronte Juventus-in

Ndonjëherë ëndrrat mund të të bëjnë keq. Madje, të të mashtrojnë. Kjo është ajo që i ka ndodhur Rashed Al Hajjawi-t dhe familjes së tij, që kanë lënë gjithçka për të ndjekur një ëndërr me emrin Juventus dhe më pas kanë kuptuar se ishin mashtruar. Por jo nga Juventus, që nuk është në dijeni të kësaj historie, ka bërë të ditur “La Repubblica”. Ai që ka folur, është sfhryrë, duke përshkruar një botë ku dinakët dhe mashtruesit vazhdojnë akoma të bëjnë rrugë, ka qenë babai i fëmijës 11-vjeçar, i konsideruar si Messi i Palestinës.

Historia – Një vit më parë dukej se po fillonte një ëndërr e vërtetë. Telefonata e Juventus-it, takimi me Cristiano Ronaldo-n dhe më pas Zidane, në Mappano Torinese me rastin e inaugurimit të impiantit sportiv të trajnerit francez. Familja është transferuar e gjitha në Itali nga Bagdadi, duke kaluar nga Norvegjia. Të gjithë me Rashed për të realizuar ëndrrën e tij. Fytyrat e njohura, magjitë me topin, vizitat në “JMedical” dhe ai premtim: “Nesër do të stërvitesh në Vinovo”. Por në Vinovo nuk ka shkuar kurrë. Juventus nuk mund ta federojë dhe nuk ka asnjë lidhje me këtë histori. Kështu, Messi i Palestinës nuk luan. Është në pritje të një mundësie të re, që mund të vijë nga Gjermania, etapa e re drejt ëndrrës. Po pret vetëm pasaportën.

Shpjegime – Që nga fillimi Juventus ka sqaruar pozicionin e klubit, edhe me mediat që kanë folur për transferimin në Itali të një fenomeni të rrjeteve sociale. Lojtari nuk mund të federohej dhe familja ka marrë të njëjtat përgjigje nga Chelsea dhe Barcelona. Nga ana tjetër, rregullorja e FIFA-s është e qartë: “Neni 19 ndalon transferimin ndërkombëtar të lojtarëve nën moshë apo federimin e tyre, nëse nuk janë banorë të vendit ku do të luajnë, me përjashtim të rasteve kur prindërit transferohen në atë vend për arsye që nuk kanë lidhje me futbollin, nëse fëmija jeton brenda 50 kilometra larg kufirit ose nëse është 16 vjeç dhe jeton në Europë”. Po vizitat mjekësore në “JMedical”? Në qendrën shëndetësore të Juventus mund të shkojë kushdo, për çfarëdo vizite apo kontrolli. Rashed e ka zbuluar këtë vetëm më pas, kur është përplasur me një tjetër ëndërr të thyer.

Më shumë nga Kampionatet në Europë