Kampionatet në Europë

Mata: Eshtë shumë herët, Manchester City s’e ka fituar titullin

Mesfushori i Manchester United, Juan Mata, thotë se ka një rrugë të gjatë për të përshkuar në garën e titullit, pavarësisht formës së pabesueshme të Manchester City këtë sezon. Skuadra e Guardiolës ka fituar 14 dhe ka barazuar 1 nga 15 ndeshjet e Premier League, në këtë sezon, duke krijuar një distancë prej tetë pikësh nga ndjekësi më i afërt në klasifikim, Manchester United. Rivalët e të njëjtit qytet do të takohen në derbin e Manchesterit, në “Old Trafford”, të dielën, dhe Mata sheh një mundësi të madhe për ta ngushtuar hendekun me liderët e Premier League. “Ata janë duke bërë mirë dhe duke fituar shumë lojëra, – tha Mata për Manchester City. – Janë duke shënuar shumë gola, por mendoj se dhe ne nuk po bëjmë pak. Do të përpiqemi të tregojmë të dielën se mund të luajmë futboll të mirë dhe mund të fitojmë tri pikë.

Është një lojë shumë e veçantë, të gjithë e dimë këtë, veçanërisht për shkak të pozitës që kemi të dyja palët në klasifikim. Ne luajmë kundër Manchester City në “Old Trafford” dhe është një nga ato ndeshje, që secili dëshiron ta luajë, një nga ato lojëra me të vërtetë të veçanta, që ka Premier League”.
Ndonëse ecuria e “qytetarëve” në këtë sezon, me 43 pikë të grumbulluara nga 45 e mundshme, ka bërë që njerëzit të thonë se ata nuk mund të kapen, Mata mendon se rivalët e Manchester United do të fillojnë të ngushtojnë distancën prej tetë pikësh. “Mbaj mend disa sezone më parë (në 2011-2012), kur Manchester United ishte përpara Manchester City me tetë pikë dhe më pas “qytetarët” fituan falë diferencës së golave. Është një ligë e çmendur dhe është shumë herët të mendojmë se çështë e titullit ka përfunduar”.

Më shumë nga Kampionatet në Europë