Kampionatet në Europë

Materazzi: Interi të marrë hak ndaj Juves, s’mund ta humbasë këtë mundësi

Hakmarrja është një gjellë, që serviret e ftohtë. Kështu, pothuajse saktësisht 16 vjet më vonë, pasi humbi “scudetton” më 5 maj 2002, Interi mund të marrë hak mbi Juventusin, edhe pse këtë kohë ylli i titullit nuk do të përfundojë në fanellën e Interit, por në atë të Napolit.

Marco Materazzi, i intervistuar nga “Corriere dello Sport”, pranon: “Interi nuk mund ta humbasë këtë mundësi, për të bërë një hap të rëndësishëm drejt kthimit në Ligën e Kampionëve dhe, për shumë, t’i komplikojë garën e titullit një rivali historik, si Juve.

Nëse bardhezinjtë nuk fitojnë në “San Siro”, ata rrezikojnë ta humbasin titullin. Pres që Juventusi të jetë shumë i zemëruar dhe, për këtë arsye, edhe më i rrezikshëm. Sidoqoftë, “San Siro” është shtëpia jonë dhe Juventusi nuk duhet të fitojë aty”.

Lidhur me garën e titullit, Materazzi thekson: “Unë nuk e prisja humbjen e Juventusit, por Napoli nuk ka vjedhur asgjë në ndeshjen e fundit. Tani kampionati është rihapur plotësisht. Skuadra e Allegrit është ende një avantazh, por udhëtimet në Milano dhe Romë janë dy rreziqe autentike për të”.

Rivaliteti mes Interit dhe Juventusit, në anën tjetër, është shumë i fortë, sa Materazzi zbuloi se nuk e kishte harruar ende 5 majin 2002: “Kujtimet më të dhimbshme i kam kundër Juventusit, ndaj është momenti për hakmarrje. Pres të përjetojnë kështu edhe futbollistët zikaltër, sepse duhet të jetojnë me hisotorinë e Interit”.

Së fundi, ish-mbrojtësi kthehet edhe në sfidën e shumëdiskutuar, Juventus-Inter, të vitit 1998: “Unë nuk isha aty, e kam parë ndeshjen vetëm si tifoz, por më kujtohet se çfarë ndodhi. Nëse pas 20 vitesh, arbitri i asaj ndeshjeje është i bindur se duhej paralajmëruar Ronaldo për simulim, me të vërtetë nuk e di nëse do të buzëqeshë, apo do të qajë. Ai bëri një gabim një herë dhe vazhdon të bëjë gabime edhe tani, që e mbron vendimin e marrë”.

Më shumë nga Kampionatet në Europë