Premier League

Matic paralajmëron Manchester City: Mourinho e ka treguar, ju mund!

Mesfushori i Manchester United, Nemanja Matic, ka paralajmëruar Manchester City se trajneri Jose Mourinho di si t’i ndalojë. Të dyja skuadrat po përgatiten të “përplasin brirët” në derbin e parë sezonal të Manchesterit, në stadiumin “Etihad”, të dielën.

“Djajtë e Kuq” dhe “qytetarët” vijnë në këtë përplasje plot motivim, pasi kanë siguruar fitore Champions-i në mesjavë, kundër Juventusit dhe Shakhtar Donetsk, respektivisht. Manchester City ka qenë i frikshëm në shtëpi, nën drejtimin e Pep Guardiolës, duke humbur vetëm një herë në 37 ndeshje të Premier League, luajtur në “Etihad”.

Kjo humbje ndodhi kundër Manchester Unitedit të Mourinhos, sezonin e kaluar, prandaj Matic këmbëngul se skuadra e tij mund t’i trondisë përsëri të besuarit e Guardiolës në stadiumin e tyre.
Duke folur për faqen zyrtare të klubit, mesfushori serb tha:

“Unë pres një ndeshje shumë të vështirë. Manchester City ka një skuadër shumë të mirë, luan futboll cilësor e tërheqës, shënon shumë gola në çdo ndeshje, por ne gjithashtu kemi cilësitë tona, që duhet t’i përdorim.

Duhet t’i ndalojmë ata në sulmet e tyre, ka një mënyrë për ta bërë këtë dhe trajneri Mourinho e di më mirë se askush tjetër. Ne do të përgatitemi për një duel të vështirë, por në një derbi gjithçka është e mundur. Do të jemi gati për këtë.

Kemi një skuadër të mirë, jemi përmirësuar edhe mendërisht. Në katër ndeshjet e fundit të Premier League kemi marrë tri fitore dhe një barazim, çka tregon se jemi më të fortë. Kjo gjë na jep më shumë besim, ndaj do të përpiqemi të vazhdojmë në këtë mënyrë”.

Më shumë nga Premier League