Bundesliga

Matthäus: Ky lojtar i Bayern-it më kujton Maradonën

Lothar Matthäus rrallë lavdëron ndonjë futbollist, por ka bërë një përjashtim me yllin e Bayern-it, Thiago Alcantara. Spanjolli këtë sezon po shkëlqen dhe legjenda e futbollit gjerman i ka dedikuar një editorial në “Sport Bild”. “Te Bayern, lojtari i cili më entuziazmon në veçanti është Thiago. Ai më kujton Diego Maradonën me lëvizjet e shpejta, rrotullimet dhe kthimet e tij. Mendoj se është bërë zemra e lojës së Bayern-it në këtë sezon”, – e nis 56-vjeçari shkrimin e tij.

“Thiago ka një teknikë superiore. Ai ruan dinamikën në çdo situatë loje, i vendos shokët e skuadrës në pozicionet e duhura dhe e di saktësisht se si duhet të lëvizë. Nuk është rastësi që, edhe pse është vetëm 1,72 metër i gjatë, deri tani ka shënuar dy gola me kokë. Pra, ai ka syrin për t’u pozicionuar në çastin e duhur”, – shton Matthäus, duke theksuar se Pep Guardiola në shumicën e kohës nuk e ka pasur në gjendje lojtarin i tij të preferuar.

Duke shpjeguar më tej mendimet e tij, ish-kampioni i botës shkruan se Thiago i ka prishur punë Thomas Müller-it. “Për të është keq. Ndryshueshmëria e pozicioneve nuk ka qenë kurrë pika e fortë e lojtarit të Gjermanisë. Tani çdo pozicion është i zënë. Thomas luan gjithmonë në Bundesligë, por kur ndeshja është e rëndësishme Carlo Ancelotti luan me treshen Alonso-Vidal-Thiago”, – e mbyll rekordmeni, i cili edhe një herë ka ditur të krijojë lajm.

Më shumë nga Bundesliga