Boks

Mayweather stërvitje me kampionin e botës në prag të duelit me McGregor

Boksieri britanik Chris Eubank Jr. ka deklaruar sot se do të udhëtojë për në Las Vegas për të qenë pjesë e stafit të Floyd Mayweather, në përgatitjet që ky i fundit do të bëjë për sfidën e 26 gushtit ndaj Conor McGregor. Eubank Jr. është kampion bote i peshës super të mesme në kategorinë IBO dhe ka deklaruar se është i kënaqur që i jepet kjo mundësi, për të qenë pjesë e përgatitjeve të Mayweather, kampion i pamposhtur në ring. “Po udhëtoj drejt Las Vegas sot për t’u stërvitur me skuadrën e Mayweather para duelit të 26 gushtit. Fantastike të jesh pjesë e ekipit të Floyd në stërvitjen e tij”, ka qenë deklarata e bërë sot nga Chris Eubank Jr.

Eubank Jr. kampion bote i peshës super të mesme në kategorinë IBO

Chris Eubank Jr mbrojti titullin kampion bote të kategorisë së tij vetëm 15 ditë më parë, kur mundi gjermanin Arthur Abraham me vendim unanim të gjyqtarëve. Por ai është një mik i Mayweather, ndaj ka pranuar ftesën e kolegut amerikan për t’u stërvitur së bashku. Nga sfida mes Mayweather dhe McGregor pritet që fitimet të kalojnë shifrën e 500 milionë dollarëve, me boksierët që do të marrin nga 100 milionë. Edhe irlandezi i UFC-së, Conor McGregor, prej më shumë se dy javësh ka zbarkuar në Las Vegas, ku dhe po përgatitet për duelin e 26 gushtit, i pari për të në boks, ndërkohë që është një ikonë e arteve marciale mikse.

Më shumë nga Boks