Kampionati Shqiptar

Mbrojtësi rrezikoi jetën, Flamurtari sqaron situatën me stafin mjekësor

Gjatë ndeshjes Flamurtari-Kastrioti (4-0), mbrojtësi rumun i kuqezinjve, Cristian Sirghi, u godit keq nga sulmuesi i krutanëve, Charles Atsina. Për pasojë, ai la me urgjencë fushën e lojës dhe u dërgua në spitalin e Vlorës. Pas mbajtjes nën kontroll nga mjekët e këtij spitali dhe kontrolleve përkatëse mjekësore, u mësua edhe shkalla e dëmtimit për 31-vjeçarin.

Ai ka fraktura në hundë dhe mund t’i nënshtrohet operacionit. Në media u fol për mangësi në stafin mjekësor të ekipit vlonjat, por klubi bregdetar ka hedhur poshtë të tilla thashetheme, duke konfirmuar zyrtarisht: “Flamurtari Football Club, duke marrë shkas nga lajmet e publikuara në shtypin e shkruar, shpreh indinjatën e thellë për shpifjet e vazhdueshme dhe dashakeqe.

Në lidhje me problemin e stafit mjekësor të klubit tonë kërkojmë të bëjmë me dije se:
Eshtë ofruar z.Luan Xhelilaj, me një ekperiencë shumë të madhe në dhënien e ndihmës së parë, siç rezultoi edhe në rastin e dëmtimit të mbrojtësit Cristian Sirghi.

Gjithashtu, kërkojmë të informojmë opinonin publik dhe më gjerë se z.Luan Xhelilaj nuk është dërguar nga spitali i Vlorës për të asistuar në ndeshje, por është i regjistruar në protokollin e ndeshjes nga fillimi deri në fund të saj.
Falë aftësive të tij dhe të fizioterapistit Oltjon Isai, situata e krijuar u zgjidh shumë shpejt dhe në mënyrë profesionale”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar