Formula 1

Mbyllen testet dimërore, Ferrari bën ligjin në pistën e Montmelo

Në pistën spanjolle të Montmelo janë mbyllur sot pasdite testet dimërore të Formula 1 dhe tashmë skuadrat kanë vetëm dy javë deri në fillimin e sezonit të ri, pasi më 25 mars do të zhvillohet në Australi gara e parë sezonale. Në mbyllje të testeve, makina më e shpejtë në pistë ishte Ferrari, që edhe sot dha kohën më të mirë me finlandezin Kimi Raikkonen (realizoi 157 xhiro, duke dhënë kohën 1’17”221 me gomat hypersoft), duke lënë pas spanjollin Fernando Alonso me McLaren. Por testet e sotme konfirmuan sërish se makinat kishin plane të ndryshme, pasi Mercedes u përqendrua më së shumti në ritmin e garës, siç bëri dje Vettel me “kokëkuqen” (1’17”182 koha e gjermanit, rekord e pistës).

Fernando Alonso me McLaren

Në vendin e tretë sot u klasifikua makina Renault e Carlos Sainz (45 xhiro), ndërkohë që gjatë paradites, Alonso pati sërish probleme me njëvendëshen e tij, duke qëndruar për një kohë të gjatë pushim. Makinat Mercedes garuan më së shumti me gomat soft dhe medium, duke u renditur në vendin e gjashtë me Valtteri Bottas (104 xhiro në total gjatë paradites) dhe në të 11-tin me Lewis Hamilton (97 xhiro në total gjatë pasdites). Për makinën Red Bull, në pistë sot ishte piloti australian Daniel Ricciardo, që u rendit i katërti (92 xhiro), ndërkohë që Pirelli ka bërë me dije se për garën e parë sezonale do të vërë në dispozicion gomat soft, supersoft dhe ultrasoft.

Kohet e dhena sot ne pisten e Montmelo

Më shumë nga Formula 1