Futboll

Mbyllet në barazim supersfida e javës së 2-të, Partizani i parafundit me 1 pikë

Është mbyllur në barazim pa gola supersfida e javës së dytë të kampionatit në Kategorinë Superiore mes Partizanit dhe Kukësit. Me vetëm një pikë në këto dy ndeshje të para, skuadra e kuqe renditet në vendin e parafundit të klasifikimit, duke lënë pas vetëm Lushnjën, e porsa ngritur në superior. Nga ana tjetër, skuadra e Kukësit ka marrë një pikë të rëndësishme në këtë transfertë të vështirë përballë një rivali direkt. E barabartë jo vetëm në rezultat, por edhe në shanset e krijuara, ka qenë sfida mes dy ekipeve që rivalizuan sezonin e kaluar për titull.

Kanë qenë pikërisht verilindorët ata që kanë patur të parët rastin më flagrant për të kaluar në avantazh, kur në minutën e 12’,  Kale ka të gjitha shanset t’i japë epërsinë Kukësit, pasi përfiton nga një gabimi i Ibrahimit, por finalizimi i tij është i gabuar, me topin që përfundon jashtë kuadratit. Përgjigja e të kuqve është regjistruar në minutën e 27’ me Prognin që tenton me një gjuajtje nga jashtë zone, por topi përfundon jashtë ngjitur me shtyllën e djathtë pingule të portës së Kukësit.

Në pjesën e dytë të kuqtë janë përpjekur të jenë më imponues, duke fituar terren dhe spostuar në gjysmëfushën e kuksianëve. Gjithsesi edhe në këtë fraksion të dytë loje, janë verilindorët ata që i afrohen të parët golit. Në  të 57′ Kale shërben në perfeksion për Gurin, që gjuan në hyrje të zonës, por topi përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën. Vetëm një minutë më vonë Partizani ka shansin më të mirë për të shënuar golin e avantazhit, por finalizimi i të kuqve është qëndror dhe neutralizohet pa problem nga Koliçi. Janë sërish kryeqytetasit që insistojnë në minutat e mbetura me një mori tentativash. Kotobelli në të 75′ tenton me një goditje të rrezikshme nga jashtë zonës, por topi shkon jashtë ngjitur me shtyllën. Në të 84’ është Sukaj që gjuan në djagonale në hyrje të zonës, por topi përfundon jashtë. Koliçi bën mrekullinë në të 88’ kur largon një top të goditur nga Batha.

 Partizani-Kukësi 0-0

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Krasniqi, Atanda, Kotobelli, La Camera, Batha, Adorjan, Progni, Trashi, Çani
Trajner: Mark Iuliano

Kukësi: Koliçi, Hallaçi, Shameti, Alla, Imami, Bakaj, Krkotic, Zeqiri, Kale, Guri, Alijev
Trajner: Mladen Milinkovic

Gjyqtar: Juxhin Xhaja

Më shumë nga Futboll