RUSI 2018

Me tri qendra në Botëror, Anglia “kopjon” skemën e Antonio Conte

Premier League ka shpenzuar disa vite për mbrojtjen me tri qendra. Ekipet atje po e përdorin gjithnjë e më shumë atë. Çelsi i Conte fitoi titullin me atë skemë dhe shumë prej tyre e panë si model atje. Wenger, Guardiola, Mourinho, apo Koeman e kanë përdorur gjatë këtij sezoni. Dhe tani ekipi i Anglisë do të luajë, gjithashtu, me tri qendra në Kupën e Botës.

“Kjo na lejon për të dhënë më shumë liri për lojtarët sulmues, ndaj mund të përdorim mbrojtjen me tre, ose pesë, në varësi të gjendjes së lojës. Në të kaluarën ka pasur takime me shumë posedim, si kundër Islandës në Europian, ku kemi humbur. Tani kemi më shumë gjerësi në anët kundër ekipeve që janë të mbyllura”, – shpjegoi Gary Cahill për këtë çështje, një nga tri qendrat e prapavijës së Anglisë, bashkë me Stones dhe Walker.

Pikërisht, rasti i Walker është i mrekullueshëm. Nga ana e djathtë te Manchester City, tani luan në pozicionin e qendrës. “Nuk është një situatë e vështirë, por e çuditshme, – shpjegon Walker. – Unë kam punuar gjithë jetën time për të shkuar në një Kupë Bote, si anësor i djathtë, mbrapa, kështu që kjo është diçka e re. Për vite me radhë nuk do të kisha luajtur në këtë pozicion, por Guardiola më ka mësuar shumë”, – përfundon ai.

Në 10 ndeshjet e fundit, të luajtura nën drejtimin e trajnerit Gareth Southgate, Anglia ka pësuar vetëm tre gola. Përveç kësaj, “Tre Luanët” e mbajtën portën të paprekur edhe ndaj Brazilit dhe Gjermanisë, dy favoritë për titullin në Rusi, si dhe nuk kanë humbur për një vit.

Më shumë nga RUSI 2018