Kampionati Shqiptar

Menaxherët në stadium për ta vëzhguar, Enis Gavazaj drejt transferimit

Ndeshjet finale janë gjithmonë një trampolinë për lojtarët cilësorë të skuadrave të Superligës. Kështu duket se do të jetë edhe finalja e ditës së diel, e Kupës së Shqipërisë, mes Skënderbeut dhe Laçit. Veç menaxherëve të klubeve shqiptare apo drejtorëve sportivë nga Superliga, në “Elbasan Arena” kanë qenë disa menaxherë të huaj, të cilët kishin ardhur me një mision të qartë.

Nën vëzhgim ka qenë mesfushori i krahut të Skënderbeut, Enis Gavazaj. Futbollisti prej kohësh është në qendër të vëmendjes për një transferim të mundshëm në ndonjë klub europin dhe shumë ekipe janë përfolur se do të jenë destinacioni i radhës për futbollistin, që tashmë ka veshur edhe fanellën e kombëtares.

Menaxherët që kanë qenë të pranishëm në Elbasan për të ndjekur finalen e Kupës së Shqipërisë dhe për të parë nga afër paraqitjen e Gavazajt vinin nga Austria, Belgjika dhe Danimarka. Ky i fundit mund të jetë edhe shteti, ku mund të shkojë, pasi në skenë ka dalë një klub jo pak i njohur, siç është FC Copenhagen.

Këtë e konfirmojnë për “Telesport” burime të sigurta pranë lojtarit. Megjithatë, në ditët në vijim pritet të mbyllet marrëveshja, kjo në varësi edhe të vlerësimit që do të japin menaxherët për Enis Gavazajn, që e panë gjatë ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë, kundër Laçit.

Futbollisti duket se lajmin për transferimin mund ta marrë në Zvicër, aty ku ka mbërritur herët, mëngjesin e kësaj të hëne, për t’u bashkuar me kombëtaren. Është ende herët për të folur për termat financiarë, por sipas sajtit të specializuar për shtijet dhe blerjet e lojtarëve, “transfermarkt”, Enis Gavazaj vlerësohet me 750 mijë euro.

Nëse Skënderbeu do ta lëshonte Gavazajn për këto vlera ky do të ishte një tjetër transferim i suksesshëm i skuadrës bardhekuqe, që do të mbushte jo pak arkat e klubit.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar