• Merkato, kokëforti Klopp nuk heq dorë nga Dembélé

    Publikuar: 19 Mar 4:48

    Jürgen Klopp nuk e harron ish-skuadrën e tij, Borussia Dortmund, por nuk bëhet fjalë për një qëllim të mirë ndaj gjermanëve. Trajneri i Liverpool-it duket se ka hedhur sytë nga një talent i verdhezinjve dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë prej tij. Ai është 19-vjeçari Ousmane Dembélé. Sipas britanikes “The Sunday Mirror”, klubi i kuq në verë do të bëjë një ofertë të majme për mesfushorin, të cilin e pati kërkuar edhe vjet, por djaloshi zgjodhi kalimin në “Signal Iduna Park”.

    Vetë Dembélé e ka konfirmuar interesin e “Të kuqve” tri javë më parë, kur tha: “U takova me Klopp-in në Paris dhe i thashë se doja të shkoja te Borussia”. Francezi ndihet mirë në Dortmund. Kontrata e tij aktuale përfundon në vitin 2021 dhe nuk ka klauzolë largimi. Dy ditë më parë, numri 2 i klubit gjerman, Hans-Joachim Watzke, theksoi se “Ousmane do të jetë me ne edhe vitin tjetër”. Gjithsesi, Klopp e ka bërë mendjen top dhe do të bëjë të pamundurën për ta transferuar talentin.


    Lexo postimet e tjera