Sporte Mix

Merr pjesë në 8 edicione radhazi, një japonez vendos “rekordin” e parë të Olimpiadës

Pas një muaji do të nisin në Korenë e Jugut Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018”, eventi më i rëndësishëm i sporteve të dëborës dhe akullit. Por sportisti i hedhjes nga trampolina, japonezi Noriaki Kasai ka vendosur që sot rekordin e parë. Ai është bërë sportisti i parë që merr pjesë në 8 Olimpiada dimërore radhazi. Këtë rezultate e kanë arritur edhe 10 sportistë të tjerë, por të gjithë janë pjesëmarrës në Olimpiadat verore, përfshi edhe kalorësin kanadez Ian Miller (10 Olimpiada verore) dhe qitësin letonez Afanasijs Kuzmins (9 Olimpiada verore).

Sportisti i hedhjes nga trampolina, japonezi Noriaki Kasai

Pra, për Kasai kualifikimi për në Olimpiadën koreane është një rezultat madhështor, ndërkohë që debutimin e tij olimpik e ka bërë në Albertville 1992 dhe nuk ka munguar në asnjë event deri në Sochi 2014. Deri para katër vitesh, ndante fronin e pjesëmarrjeve me rusin e garave me slitë Albert Demchenko, që u pezullua për shkak të dopingut. Në karrierën e tij, Noriaki Kasai ka fituar 3 medalje olimpike: Argjend në Lilehamer 1994 dhe një argjend e një bronz në Sochi 2014, pra pas 20 vitesh. Ai numëron gjithashtu edhe 17 fitore në garat e Kupës së Botës në hedhjen nga trampolina.

Më shumë nga Sporte Mix