Kampionati Shqiptar

Mes tensionit, Laçi dhe Kukësi ndahen në barazim pa gola

Në harkun e dy javëve, Kukësi me Laçin janë përballur për herë të tretë me njëra tjetrën, këtë radhë në një sfidë të vlefshme për kampionat. Ashtu si edhe ndeshja e parë e Kupës së Shqipërisë, edhe kjo përballje e ditës së dielë është ndarë në barazim të bardhë pa gola.

Takimi fillon me ritëm të lartë që në minutat e para dhe të dyja skuadrat janë agresive në fushë. Pas disa rasteve të pastra për shënim për Kukësin, pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej në shifrat e baradha 0-0. Në fraksionin e dytë të ndeshjes, vendasit tentojnë të reagojnë dhe tregojnë dëshirë për të bërë mirë në këtë sfidë. Por sërish, rastet e rrezikshme para portës i ka Kukësi, por që Guri shpërdoron dhe nuk arrin të tregohet i saktë. Gjatë kësaj pjesë nuk kanë munguar as rastet e tensionit në fushë mes lojtarëve të të dyja skuadrave, ku miqtë pretenduan për një penallti.

Në fund rezultati nuk arrin që të zhbllokohet nga asnjëra prej skuadrave dhe çdo gjë mbyllet në barazim. Për Laçin ky është rezultat i kënaqshëm, pasi ka ndalur në barazim skuadrën kampione në fuqi. Ndërkohë nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për Kukësin, i cili pas skualifikimit nga Kupa e Shqipërisë, nuk ka mundur dot që të rikthehet tek fitorja.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar