Atletikë

Mesdhetaret: Boksieri Zeneli i siguron medalje Shqipërisë, Smajlaj në finalen e kërcimit

Ditët e fundit të Lojërave Mesdhetare “Tarragona 2018” kanë qenë më të mira për Shqipërinë, e cila siguroi medaljen e artë në garën e 3000m/p me atleten Luiza Gega. Por kjo medalje nuk do të jetë e vetmja për ngjyrat kuqezi, pasi të sigurt e ka medaljen edhe boksieri Krenar Zeneli. Sot, ai fitoi 4-1 ndaj rivalit turk Ali Ihsan Alagas në gjysmëfinalen e peshës 56kg, duke u kualifikuar për në finale. Çka do të thotë se Zeneli do të varë në qafë një medalje, me shpresën që ajo të jetë e artë. Boksieri kuqezi do të përballet në finale me italianin Raffaele Di Serio.

Mundësi për të arritur medalje ka edhe atleti Izmir Smajlaj, që është kualifikuar për në finalet e garës së kërcimit së gjati. Në eliminatore, kampioni i Europës dha rezultatin 7.77 metra, duke prerë një biletë për në finale, ku pritet që paraqitja të jetë shumë më e mirë. Në finale, ku do të jenë 12 garues, pritet që Smajlaj të bëjë një garë të mirë dhe të triumfojë, pasi rezultati i tij më i mirë ëhstë 8.08 metra, rekord kombëtar.

Më shumë nga Atletikë