Boks

Mesdhetaret, mundja dhe boksi nuk dhurojnë medalje

Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018” nuk po japin atë rezultat që pritej për Shqipërinë, të paktën deri më tani, pasi ende mungon medalja e parë. Pas humbjeve të kombëtareve të volejbollit dhe paraqitjes zhgënjyese në sportin e qitjes, sot kanë garuar mundësit, boksierët dhe notarët, por sërish rezultatet kanë lënë për të dëshiruar.

MUNDJE – Në sportin e mundjes, i pari që ka dueluar në tapet është Alban Necaj në peshën 87kg të stilit greko-romak. Debutimi i tij në këtë turne ka qenë jo i mirë, pasi Necaj u mund që në start nga spanjolli Pedro Garcia Perez, duke i thënë shumë shpejt lamtumirë turneut. Më pas, në tapet ka dueluar mundësi Eriglent Prtizreni në peshën 65kg (stili i lirë), që ka bërë një paraqitje disi më të mirë.

Ai fitoi sfidën e parë ndaj algjerianit Fares Lakel në turin eliminator, por në çerekfinale u mund nga slloveni David Habat. Megjithatë, Prizreni mund të ripeshkohet dhe të tentojë nesër zonën e medaljeve. Mundësi i tretë që ka garuar për kuqezinjtë është Osman Hajdari, në peshën 74kg të stilit të lirë. Por edhe Hajdari ka zhgënjyer, duke u mund që në start nga algjeriani Mohamed Boudraa, duke mbyllur kështu aventurën e mundjes kuqezi pa medalje në Olimpiadë.

BOKS – Në ring sot janë ngjitur dy boksierët kuqezi, Nurja e Kajoshi, por pa sukses. Në peshën 52kg, boksieri Ardit Nurja është mundur 5-0 nga egjiptiani Abdelrahman Aly, duke u eliminuar shumë shpejt nga gara. Edhe Arjon Kajoshi nuk ka patur fat në peshën 75kg, pasi u detyrua të tërhiqej në raundin e parë për shkak dëmtimi, në sfidën ndaj algjerianit Azzouz Boudia.

Më shumë nga Boks