RUSI 2018

Messi: Duhet të bashkëjetojmë me atë plagë dhe të shikojmë përpara

Leo Messi ka dhënë një intervistë ekskluzive për Uefa.com ku ka folur kryesisht për Rusi 2018: “Sampaoli ka thënë se futbolli i detyrohet një Botëror Messi-t? Ma ka thënë edhe mua. Shpresoj që futbolli të më shpërblejë në fund”, ka thënë argjentinasi. Në lidhje me Kupën e Botës: “Nëse nuk do të ishim kualifikuar në Botëror, do të kishte qenë pika më e ulët për vendin tim”. Në lidhje me jetën e tij personale: “Jam shumë i kënaqur me situatën ku ndodhem”.

Leo Messi ka folur për futboll, por jo vetëm: “Jam i kënaqur me jetën time personale dhe atë profesionale. Mund të them se jam në formë të mirë brenda dhe jashtë fushës. Është e vërtetë, shumë gjëra ndryshojnë me kalimin e kohës. Edhe mënyra e lojës sime ka ndryshuar. Natyrisht, të gjithë rriten dhe përmirësohen, duke arritur objektivë të rinj”.

2018-a do të jetë viti i Botërorit dhe një rast i ri, ndoshta ai i pjekurisë, për Leo-n me fanellën “Albiceleste”. Por viti i ardhshëm do të jetë i rëndësishëm për Messi-n edhe për një arsye tjetër: “Do të bëhm baba për herën e tretë”. Gjithsesi, është e pashmangshme të flitet për Kupën e Botës dhe për vështirësitë që ka pasur kombëtarja e tij për të siguruar një vend në Rusi: “Nuk ka qenë e lehtë, sepse në ndeshjet me Peru dhe Venezuela duhej të kishim bërë më shumë, por kemi komplikuar gjithçka. Megjithatë, në ndeshjen vendimtare me Ekuadorin kemi qenë gati. Për mënyrë se si shkuan gjërat, për mua ka qenë një momen i rëndësishëm dhe special”.

Po nëse kualifikimi nuk do të kishte ardhur? “Do të kishte qenë një goditje e rëndë për të gjithë, skuadrën dhe mua personalisht. Nuk e di si do të kisha reaguar. E njëjta gjë vlen për popullin e Argjentinës. Do të kishte qenë pika më e ulët për vendin tonë”. Botërori kthen në mendje edhe finalen e humbur në Brazil: “Plagët e asaj finaleje nuk do të shërohen kurrë. Duhet të bashkëjetojmë dhe të shikojmë përpara. Kemi akoma shumë për të bërë, por po përmirësohemi dhe jam i sigurt se kombëtarja do të paraqitet mirë”, ka thënë ylli i Barcelona-s.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga RUSI 2018