Kampionatet në Europë

Messi te Manchester City? Flet Aguero: Paratë nuk janë problem…

Sergio Aguero do të donte që Lionel Messi t’i bashkohej atij në Manchester City, por, sipas tij, do të ishte diçka shumë e komplikuar për ta bindur një “simbol” të klubit për të lënë Barcelonën. Spekulimet për të ardhmen e Messi kanë qenë të shumta prej disa muajsh. Tani, pasi superstari argjentinas shënoi një “hat-trick” me kombëtaren, për t’i rezervuar Albiceleste vendin në finalet e Kupës së Botës 2018, regjistrohet viti i fundit i kontratës së tij në “Camp Nou”. Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka deklaruar disa herë se rinovimi me Messin tashmë është në zbatim dhe vetëm duhet të shpallet, por ora troket dhe mban konfirmimin në pritje, ende për t’u bërë.

Përkundër vonesës, Aguero nuk mendon se ka shumë shpresë që Messi të bashkohet me të te Manchester City, edhe pse paraja nuk është një çështje për klubin e Premier League. “Paratë nuk janë problem këtu, – tha Aguero për “TyC Sport”. – Por, unë mendoj se Messi, ashtu si Cristiano Ronaldo, janë lojtarë simbole të klubeve të tyre dhe është e vështirë që ata të largohen. Do të doja ta kisha Leon në ekipin tim, por kjo duket mjaft e komplikuar”.

Aguero është mënjanë skuadrës së tij, pasi ka thyer një brinjë në një aksident me makinë në Amsterdam, në fund të shtatorit, një lëndim që e mbajti atë jashtë nga dy eliminatoret e fundit, në të cilat Argjentina siguroi pjesëmarrjen në Kupën e Botës. “Unë ende nuk e di nëse do të luaj të shtunën, – nënvizon sulmuesi argjentinas. – Sot jam stërvitur normalisht, por pa grupin. Nesër do të hyj me grupin për të parë se si ndihem, por në stërvitje nuk është e njëjta gjë si në lojë. Dua të shoh nëse kam dhimbje”.

Më shumë nga Kampionatet në Europë