Kampionati Shqiptar

Mezani e sheh si finale: Kemi mungesa, por Luftëtarit i vlen vetëm një rezultat

Luftëtari është përmirësuar që kur drejtimin e ka marrë Gentian Mezani, por tre pikë në dy ndeshje nuk mjaftojnë për të lëvizur në renditje. për këtë arsye, ndeshja e nesërme kundër Kamzës është si një finale e vogël, sepse në këtë moment është e qartë që bëhet fjalë për dy rivalë direktë për mbijetesë, përtej faktit që është tepër herët për të dhënë verdikte të tilla, aq më shumë që edhe vjet Luftëtari e nisi shumë keq. Mezani ka folur në prag të sfidës së nesërme, duke e pranuar se fitorja është detyrim, edhe pse mungesa si ato të Aleksit e Ramadanit në mesfushë peshojnë shumë.

Ndeshje intriguese, ndaj një rivali direkt. Si e prisni ndeshjen ndaj Kamzës?

Është një ndeshje ku fitorja është detyrim, sepse Kamza është rival direkt dhe fitorja na qetëson disi. Do të bëjmë më të mirën, me synim të vetëm pikët e plota.

Keni probleme formacioni për ndeshjen e nesërme, si do e zgjidhni?

Sigurisht, kemi mungesa të rëndësishme, duke përfshirë Ramadanin, i cili është i pezulluar, por jam i sigurt që lojtarët që do të luajnë do të japin gjithçka, ndoshta edhe më shumë se titullarë si Ramadani e Aleksi, për të treguar se e meritojnë fanellën dhe pse jo ta ruajnë vendin në formacion.

I druheni gjykimit, pas ankesave në ndeshjen e fundit?

Absolutisht jo. Edhe ndaj Kukësit u ankova pas ndeshjes, por jo për gjykim të keq, më shumë sesa për të kërkuar ndoshta një arbitër me pak më shumë eksperiencë, që të mbante pak më shumë presionin, por nuk i druhem aspak gjykimit. Nuk kam për të folur asnjëherë për gjykimin, sepse nuk është në karakterin dhe stilin tim të punës. Mendoj se ne duhet të bëjmë gjithnjë më shumë se kundërshtari, një gol më shumë se kundërshtari, për ta fituar atë ndeshje, pa gjetur justifikime.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar