Futboll

Mezani “karikon” Luftëtarin: Skënderbeu? Ne mund të fitojmë ndaj çdo skuadre

Trajneri i Luftëtarit, Gentian Mezani, foli në lidhje me takimin e radhës të ekipit të tij kundër Skënderbeut. Një ndeshje mjaft e vështirë për skuadrën gjirokastrite, pasi ndeshen kundër kampionëve të Shqipërisë, pavarësisht se luajnë në shtëpi. Vlonjati tregon se ekipi i tij synon të marrë një rezultat pozitiv, pavarësisht se e di vështirësinë e takimit.

“Pas rezultateve të fundit, skuadra ka ndryshuar psikologjinë. E ka kuptuar se mund të bëjë më të mirën nga vetja dhe se mund të fitojë, të zhvillojë lojëra të mira dhe të marr rezultate pozitive. Skuadra është stërvitur jashtëzakonisht mirë këto dy ditë.

“Nuk kemi bërë gjëra të mëdha, pasi koha nuk ishte e mjaftueshme, por jemi munduar që të rikuperojmë disa futbollistë që kanë qenë pak më të lodhur se të tjerët. Ne do të hymë në fushën e lojës për të bërë më të mirën kundër Skënderbeut”. 

Numri një i stolit flet dhe për kontigjentin që ka në dispozicion. “Përveç Rrocës, Aleksit dhe Jaklovljevic që janë të dëmtuar, na rikthehet Ramadani. Ai është një forcë plus kundër Skënderbeut. Shpresoj që secili lojtarë që të futet në fushën e lojës të japë maksimumin, sepse është shumë e rëndësishme për ne. Të kemi një ecuri pozitive. Rroca dhe Aleksi? Rroca po stërvitet me grupin dhe shpresojmë që ta kemi disa minuta pas ndeshjes me Skënderbeun. Aleksi duhet parë se është akoma në atë fazën e rikuperimit”, – përfundoi Mezani.

 

 

Më shumë nga Futboll