Kampionati Shqiptar

Mezani: Penalltia nuk ishte. I lumtur dhe krenar për Laçin tim!

Vendi i tretë në kampionat, shkuarja në Kupat e Europës dhe finalist i Kupës së Shqipërisë. Ky është Laçi i trajnerit Gentian Mezani. Një duet të rinjsh, por që ka befasuar vërtet në sezonin që sapo u mbyll. Ka keqardhje për mënyrën se si shkoi finalja e Kupës, për atë penallti të paqenë, të akorduar në favor të Skënderbeut dhe që vendosi gjithçka, gjë që duket edhe në deklaratën e trajnerit bardhezi pas ndeshjes së të dielës në “Elbasan Arena”:

“Jam i mërzitur, sepse nuk fituam, por jam i lumtur për atë që kam bërë me këtë skuadër. Sot çunat treguan që nuk ka qenë rastësi, që arritën deri këtu. E humbëm finalen, Skënderbeu ka qenë më superior në qarkullimin e topit, por nuk na ka rrezikuar aq shumë. Fakti që fitoi vetëm me një penallti jo të qenë, më jep më të drejtë mua, që kemi qenë një skuadër e fortë dhe të qetë.

Unë mendoj se penalltia nuk ishte. Rrëzimi i lojtarit kundërshtar ishte 2-3 metra jashtë zone. Gjithsesi, tani mbaroi dhe është e kotë të diskutojmë. E rëndësishme ishte të kënaqnim tifozët që erdhën dhe bënë spektakël nga Laçi deri këtu. Fangaj gaboi në momentin e golit, pasi duhej të bënte diagonalen mbrapa. Qaqi duhet të dyluftonte në atë moment.

Ishte një gabim, por në futboll ka edhe gabime. Keq më vjen, por tani ka mbaruar. Luajtëm kundër Skënderbeut. E ardhmja? Në këto momente do të doja disa pushime të shkurtra, pasi ka qenë një lodhje e madhe. Ka qenë një stres, sepse kemi pasur objektiv Europën. E arritëm javën e parafundit dhe pastaj ishim më të qetë”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar