Mix

Mikaela Shiffrin një përbindësh, 3 fitore brenda 4 ditësh

Mikaela Shiffrin është nga një botë tjetër, një sportiste që po bën mrekullinë në këtë sezon të Kupës së Botës për femra në ski. Skiatorja amerikane korri sot fitoren e tretë brenda 4 ditëve (një në Kroaci, të enjten dhe dy në Slloveni, të shtunën dhe të dielën), duke garuar si e çmendur, e papërballueshme nga rivalet e saj. Sot, skiatorja 22-vjeçare, triumfoi në garën e sllallomit, ku pas dy zbritjesh dha kohën e përgjithshme 1’43”50, suksesi i shtatë sezonal.

Ky është suksesi i 40-të në karrierë për skiatoren Mikaela Shiffrin, që me këto ritme do t’i thyejë të gjitha rekordet botërore. Në vendin e dytë, sot u klasifikua skiatorja suedeze Frida Hansdotter, që mbërriti në finish me gati 2 sekonda vonesë, ndërsa e treta u rendit zvicerania Wendy Holdener.

Me këtë ritëm, Shiffrin rrezikon ta mbyllë sfidën për titullin kampion që në fund të këtij muaji, para Olimpiadës dimërore, pasi në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës ajo ka kapur që tani kuotën e 1281 pikëve. Në vendin e dytë, me 560 pikë, ndodhet Holdener, ndërsa e treta është sllovakja Vlhova, me 554 pikë, të dyja shumë larg amerikanes, që ka mbi 700 pikë avantazh.

Më shumë nga Mix