• Milan, Berlusconi i xhindosur: kërkon të mbajë 200M euro të SES

    Publikuar: 18 Mar 1:02

    Vijon të sundojë paqartësia mbi negociatat Fininvest-SES të cilat duhet të bëjnë kalimin e Milan-it në duart e konsorciumit kinez. Gjatë javës nuk është derdhur kësti i tretë prej 100 milionë eurosh, i cili do të ishte shoqëruar me një tjetër zhvillim, ndërkohë që përmbyllja e kalimit të pronësisë së Milan-it është fiksuar më 7 prill. Li Yonghjong dhe Han Li, presidenti dhe drejtori i përgjithshëm  i “Sino Europe”, duke tentuar të qetësojnë situatën dhe të ofrojnë shpjegime, kanë kërkuar dhe arritur një ballafaqim me katet e larta të hierarkisë së Fininvest-it, që përfaqësohet nga administratori i deleguar Danilo Pellegrino dhe nga drejtori i biznesit dhe zhvillimit Alessandro Franzosi.

    Nuk dihet se sa është koha në dispozicion të konsorciumit kinez për të derdhur këstin e tretë. Përshtypja është se Fininvest nuk dëshiron aspak që shuma të mos jetë depozituar deri të mërkurën apo të enjten e javës që vjen për të respektuar në këtë mënyrë datën 7 prill. Por nuk përjashtohet edhe një shtyrje e mëtejshme. Për sa i takon kapitullit Berlusconi. Pronari aktual kuqezi, sipas asaj që shkruan “Corriere dello Sport”, është shumë i nervozuar për mënyrën se si po ecin gjërat dhe duket se është duke menduar të braktisë gjithçka e  madje të mbajë edhe 200 milionë eurot që janë derdhur ndërkohë nga pala kineze. Në këtë optikë nuk përjashtohet as një vizitë e mundshme e avokatit të tij të besuar, Ghedin, në Prokurori për të dorëzuar dosjen që provon origjinën e ligshme të këtyre parave. Por duhet thënë se në këtë rast SES do t’i jepte udhë një beteje të vërtetë ligjore.

    Li Yonghong gjithmonë ka këmbëngulur në faktin se pengesa kryesore për suksesin e marrëveshjes, duhet gjetur vetëm në limitin e investimeve jashtë kufijve të vendosur nga qeveria e Pekinit. Megjithatë, edhe nëse SES do të tërhiqet, nuk përjashtohet që klubi të mbetet në duart e Berlusconi-t. Siç u përfol edhe javët e kaluara mund të ndodhë rikthimi i personazheve si Sonny Wu e madje edhe Bee Taechaubol. Ndërkohë nuk përjashtohet hipoteza e bujshme që mund të shohë si president Renzo Rosso-n, pronarin e Diesel dhe sponsor i kuqezinjve. Për “Radio 105” ai deklaroi: “Unë president i Milan-it? Një ëndërr, por tani për tani kufizohem të vesh shoqërinë. Mund të bashkëpunoj me ta në një aspekt të rëndësishëm, por në këtë moment po mendoj për sipërmarrjen time, që është një sektor i vështirë”.


    Lexo postimet e tjera